Sot në Kosovë, është duke u zhvilluar procesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Lidhur me këtë, ka dhënë komentet e tija edhe Petar Petkoviq.
Ky i fundit, ka thënë se fitorja e Listës Serbe në këto zgjedhje është ‘’e interesave kombëtare’’, si dhe, ka kërkuar që të 10 mandatet t’i takojnë kësaj partie në kuvend.
“Është me rëndësi vendimtare që të gjithë serbët – si ata të zhvendosur brenda vendit që jetojnë në Serbinë Qendrore, ashtu edhe ata që jetojnë në krahinën jugore serbe – të dalin në zgjedhje dhe të votojnë për Listën Serbe. Fitorja e Listës Serbe është triumf i interesave kombëtare serbe në Kosovë. Të gjitha 10 mandatet duhet t’i takojnë kësaj liste, sepse ajo gëzon mbështetje në të gjitha mjediset serbe në Kosovë”, theksoi Petkoviq në një intervistë për programin e mëngjesit të Radio Televizionit të Serbisë.
Ai thekson se edhe presidenti i Serbisë i jep mbështetje të plotë Listës Serbe, sepse ajo përfaqëson “lidhjen e pazgjidhshme” mes serbëve në Kosovë dhe Serbisë.
“Kjo është garanci për vazhdimin e të gjithë ndihmës së shtetit serb për popullin serb në Kosovë. Albin Kurti po bëhet gjithnjë e më nervoz. Në fakt, kemi pesë procese zgjedhore brenda 16 muajve, gjë që tregon përmasat e krizës politike. Në Kosovë nuk kemi të drejtë të ndahemi – po mbrojmë jetën tonë, të drejtën e ekzistencës së popullit serb dhe të institucioneve serbe”, tha Petkoviq.
“Është e rëndësishme që Lista Serbe të fitojë 10 mandate”
Petkoviq, ka thënë edhe se, sipas tij, qëndrimi i Kosovës s ndaj serbëve ka qenë i ‘’padrejtë’’.
“Ajo që mbështet Kurti është drejtpërdrejt kundër interesave të popullit serb në Kosovë. Prandaj është shumë e rëndësishme që Lista Serbe t’i fitojë të gjitha 10 mandatet. Kjo do të thotë se mbrojtja e interesave kombëtare serbe do të jetë plotësisht nën kontrollin e Listës Serbe dhe se ajo do të mund të marrë pjesë në procese të rëndësishme politike në Kosovë”, tha drejtori i Zyrës për Kosovën.