Përplasjet politike mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së vazhduan edhe pas fjalimit të kryeministrit Hristijan Mickoski në festën e Ilindenit. Nga LSDM-ja akuzuan se Mickoski e ka shfrytëzuar edhe një festë shtetërore për të vazhduar, siç thonë, me ndarjet në shoqëri.
Sipas opozitës, termi “llum” i përdorur në fjalimin e kryeministrit u drejtohet të gjithë atyre që nuk pajtohen me politikat e tij.
“Ky nuk është patriotizëm, por gjuhë e urrejtjes e veshur me një fjalim festiv. Mickoski nuk mund të jetë kryeministër i të gjithë qytetarëve, ndërsa një pjesë të popullit e trajton si ‘llum’”, akuzuan nga LSDM-ja.
VMRO: LSDM-ja u vetëidentifikua si “llum”
VMRO-DPMNE i hodhi poshtë këto kritika, duke akuzuar LSDM-në se është vetëidentifikuar me termin “llum” dhe se po vepron në koordinim me, siç i quajtën, qendra të huaja ndikimi.
Nga partia në pushtet thanë se një person gjatë festimit të Ilindenit në Tashmarunisht, i cili kishte tentuar të provokojë incident, ishte identifikuar nga policia dhe gjatë kontrollit kishte paraqitur dokumente bullgare.
“Konstruksioni i LSDM-së është dëshmi e lidhjeve të tyre me qendra të huaja ndikimi. Ne nuk do të bëjmë kompromis në dëm të identitetit dhe shtetit.”, reaguan nga VMRO-DPMNE.
Debati për fjalorin politik të përdorur në festën e Ilindenit rikthen edhe njëherë përplasjet mes pushtetit dhe opozitës, me akuza të ndërsjella për ndarje dhe cenim të interesave shtetërore. /TVM2/
tag_katrorimaqedoni_2