Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, ka sulmuar mënyrën se si Italia po përballet me krizën e emigracionit, duke e vënë situatën në Lampedusa përballë menaxhimit spanjoll të flukseve në kufijtë me Afrikën e Veriut.
Gjatë një interviste për transmetuesin publik spanjoll TVE, Albares tha se Italia renditet ndër vendet europiane që po përballen më rëndë me ardhjet e emigrantëve të parregullt, ndërsa autoritetet e saj, sipas tij, nuk kanë mundur ta zgjidhin problemin.
“Lampedusa është e përmbytur nga emigrantët dhe Italia është vendi europian me numrin më të madh të mbërritjeve të parregullta. Ajo nuk ka qenë në gjendje ta zgjidhë situatën, siç ka bërë Spanja”, deklaroi ministri spanjoll.
Ai shtoi se fluksi i lartë i emigrantëve drejt Italisë ndër vite ka bërë që Spanja, në kuadër të solidaritetit europian, të pranojë një pjesë të tyre.
Albares drejtoi kritika edhe ndaj qeverisë italiane, duke vlerësuar se reagimi i saj ndaj krizës nuk ka qenë në nivelin e kërkuar dhe se “nuk ka qenë në lartësinë e detyrës”.
Reagimi i ministrit vjen pas zhvillimeve të fundit në enklavën spanjolle të Ceutës, ku mijëra persona u përpoqën të kalonin kufirin nga Maroku drejt territorit europian.
Sipas Albares, shumica dërrmuese e njerëzve që hynë në Ceuta u kthyen në Marok brenda pak orësh, si rezultat i bashkëpunimit me autoritetet marokene.
“Maroku ka bashkëpunuar që në momentet e para për të frenuar fluksin dhe për të mundësuar kthimin e menjëhershëm të personave që hynë në qytetin autonom”, tha ai.
Spanja pritet ta ngrejë çështjen e solidaritetit përpara të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Europian, gjatë mbledhjes së ministrave të Brendshëm të BE-së, ku do të diskutohet situata e krijuar.