Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka dhënë lajmin për riparimin e kulmit të “Pallatit të Rinisë”, ku kishte rrjedhje uji.
Në një video në rrjetin social Facebook, Rama ka theksuar se tash artistët e talentuar janë të sigurt, përderisa theksoi se pavarësisht vonesave, arritën ta sanojnë problemin.
“Kam lajme të shkëlqyera nga kulmi i Pallatit të Rinisë, tashmë nuk ka rrjedhje, që nga sot artistët e talentuar në sallat tona do të jenë të sigurt e pa rrjedhje uji , ashtu si edhe bibilioteka e rinovuar rishtazi poshtë. Biblioteka e parë për fëmijë në vend ka me qenë faktikisht, e bërë falë përkushtimit të kryeqytetit dhe partnerëve të shkëlqyer “The Library Project”, e falënderoj edhe IKMM-në, edhe pse kanë qenë shumë të ngaldashëm, e janë vonuar tepër, por gjithsesi faleminderit që më në fund kemi mbërri me shty këtë proces përpara”, ka thënë i pari i kryeqytetit.
Rama ka falënderuar drejtorin Gëzim Kastrati. Rama theksoi se rezultatet e punës janë të mrekullueshme.
“Një falënderim drejtorit Gëzim Kastratit, që na ka ndihmu me transformu këtë hapësirë. Punimet kanë filluar më 14 gusht dhe kanë përfundu tash me 17 shtator, pra sot jam këtu personalisht për me vizitu, inspektu, e po e konfirmoj që rezultatet janë të mrekullueshme”, tha Rama.
Ai në fund, shtoi se ky është shembull se punët që fillojnë duhet të përfundohen, si model për transformimin e Prishtinës.
“Ky është shembull i qartë se çka fillojmë edhe e përfundojmë dhe tani kjo hapësirë jetike këtu e cila po iu kthehet njerëzve tanë, familjeve tuaja, e sidomos fëmijëve tuaj. Së bashku po e transformojmë Prishtinën një projekt pas tjetrit, e ky shënon një fillim të rëndësishëm në transformimin përfundimtar e të bukur të kësaj pjese të Pallatit të Rinisë. Jemi me cak, jemi me kohë, mbajeni në mend e shikojeni si lulëzon”, përfundoi Përparim Rama.