Derbi mes Prishtinës dhe Ballkanit ka nisur qysh para se të fillojë ndeshja mes dy skuadrave në Fadil Vokrri, pasi që përfaqësuesit e të dyja klubeve janë kapur në një debat të ashpër lidhur me ndeshjen e së shtunës.
Prishtina do ta presë Ballkanin në stadiumin Fadil Vokrri, e vetëdijshme se humbja do të nënkuptonte një hap mbrapa në synimin e saj për ta fituar titullin e ligës për herë të parë pas vitit 2013, raporton Gazeta Express.
Ballkani është lider i Superligës me 40 pikë pas 19 ndeshjeve, e ndjekur nga Prishtina dhe Drita me nga tri pikë më pak dhe Gjilani më pesë pikë më pak, në një garë të nxehtë katërfrontëshe për titull.
Të dyja skuadrat janë përgatitur gjatë gjithë javës për këtë ndeshje, mirëpo më pak se 24 orë para ndeshjes, përfaqësuesit e klubeve – drejtori i Prishtinës, Granit Begolli, ndihmëstrajneri i Prishtinës, Debatik Curri, ndihmëstrajneri i Ballkanit, Agim Maliqi dhe Arbër Prekazi, lojtar i Ballkanit – janë përfshirë në një debat të ashpër në emisionin “Favorit”.
Curri: Stadiumi në foton prapa po duket shumë i madh, mendoj që do të ketë shumë vështirësi skuadra e Ballkanit.
Maliqi: S’na prish punë asgjë neve.
Curri: Jo juve s’ju prish punë, por s’jeni mësuar të luani në këso stadiume.
Maliqi: Jo, jemi mësuar.
Curri: S’keni luajtur asnjëherë.
Maliqi: Jo, kemi luajtur në përgatitje në stadiume edhe më të mëdha. Do të thotë e kemi matur forcën.
Curri: Përgatitjet janë diçka tjetër. Nuk mund ta masësh forcën aty. Bëhu realist, nuk është njëjtë si në përgatitje, si në ndeshje të kampionatit.
Maliqi: Po është njëjtë, edhe ne e edhe ju stërvitemi në fushë me bar sintetik. Nuk është përparësi asgjë.
Curri: Po, ama ne i luajmë ndeshjet këtu.
Maliqi: Kur je mysafir nuk luan këtu.
Curri: Unë vetëm po them që stadiumi është më i madh.
Maliqi: E dimë ne se kemi luajtur edhe ne në këtë stadium.
Curri: Po të ishte ashtu, Kombëtarja do të luante në Suharekë. Është i madh.
Maliqi: Edhe livadhi është i madh. Edhe në livadh dalim i matim forcat.
Prekazi: Për ne lojtarët s’ka rëndësi, dy fushat janë sipas standardeve të futbollit. Fusha mund të ketë dallim vetëm për pesë metra.
Begolli: Edhe trajneri e di se me Prishtinën nuk është e lehtë të luash, sidomos në këto kushte. Këtu po përmendet shumë fusha, Arbëri e di shumë mirë që si terren është më i rëndë, por edhe përgatitja fizike vjen shumë në shprehje. /Gazeta Express/