Pranë një deponie të dheut në Butovc të Prishtinë, më 4 korrik është parë për herë të fundit Xhafër Raçi, por fqinjët nuk ishin në dijeni se ai po kërkohej nga të afërmit.
Dy ditë më parë, familjarët e kishin raportuar si të zhdukur 78-vjeçarin që vuan nga demenca.
Nga atëherë, gjatë kërkimit familjarët kanë gjetur vetëm një palë këpucë të tij, jo edhe ndonjë gjurmë tjetër që mund të çojë në zbardhjen e fatit.
Familjarët e Xhafer Raçit apelojnë që kushdo që ka ndonjë informacion për vendndodhjen e tij ta njoftojë Policinë ose t’i kontaktojë vetë ata.
“Apelojmë te popullata e Kosovës që kushdo që ka ndonjë informacion, që e ka parë ose e sheh këtë person, të na lajmërojë. Unë jam vëllai i tij më i vogël dhe, duke e parë situatën, shumë pak shpresoj që është gjallë”, ka thënë Beqir Raçi, vëlla i këtij personi, të cilin është duke e kërkuar familja.
Por si rasti i Raçit ka më dhjetëra raste të tjera.
Sipas të dhënave të Policisë, vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë raportuar rreth 90 persona të zhdukur, që i bie nga një person çdo dy ditë.
Policia në përgjigjen e saj nuk ka treguar se sa prej këtyre rasteve janë zbuluar e sa vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.
Anëtarët e Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim marrin pjesë në shumë prej kërkimeve dhe sipas nënkryetarit të këtij grupi, Mentor Maloku, sfidë të madhe paraqesin personat me demencë, nga e cila është i prekur edhe Xhafër Raçi.
“Vitin 2026 e kemi filluar me një intensitet shumë të lartë, duke pasur edhe vërshimet dhe rastet e personave të humbur. Rritja e numrit të personave me demencë është një brengë që po na përcjell vit pas viti. Është shumë sfiduese, sepse fillimisht nuk e dimë vendndodhjen apo terrenin ku mund të ndodhet personi i zhdukur. Pas mbledhjes së informacioneve, fillojmë kërkimet në terren, duke ndjekur çdo gjurmë që mund të na çojë tek ai”, ka thënë Maloku.
Një ditë më parë, Policia e Kosovës ka njoftuar se janë gjetur mbetje mortore të një personi i raportuar si i zhdukur më 5 tetor 2025.
Zbuloni si ndërtohet cilësia përmes mbi 1.000 kontrolleve, testimeve të pavarura dhe respektimit të standardeve strikte të Bashkimit Evropian.*...