Dy skuadrat më të mira kosovare të momentit do ta kërkojnë titullin e kampionit në FIVE STAR Superligën e basketbollit
Peja dhe Golden Eagle Ylli do ta kërkojnë titullin e kampionit të Kosovës.
Dy skuadrat më të mira të këtij sezoni do të përballen në mes vete në serinë finale të “play-offit”, e cila fillon sonte.
Sfida e parë e finales në FIVE STAR Superligën e basketbollit do të zhvillohet sonte në Pejë.
Skuadra që i shënon tri fitore do të shpallet kampione e Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Peja në çerekfinale e kishte eliminuar Sigal Prishtinën, kurse në gjysmëfinale e rrëzoi Ponte Prizrenin.
Kjo përballje u prish në fund, në ndeshjen e pestë, për shkak të përleshjes në mes të dy ekipeve.
Në fund, Verdhezinjtë kaluan tutje duke fituar me rezultat zyrtar, 20:0.
Ndërkohë, Golden Eagle Ylli në çerekfinale e eliminoi Bashkimin 2:1, kurse në gjysmëfinale pas pesë sfidave interesante e eliminoi Rahovecin 3:2.
Ky edicion ka qenë njëri prej më të barabartëve pas luftës me shumë takime interesante dhe kështu pritet edhe në finale.
Kjo është hera e parë për Yllin që gjendet në finale, kurse Peja e ka fituar pesë herë titullin, për herë të fundit më 2013.
Skuadra nga Theranda e fitoi së fundmi trofeun e parë në histori, atë të Ligës Unike, duke e mundur pikërisht skuadrën pejane në finale 82:79.
Kjo ndeshje zhvillohet sonte duke filluar nga ora 20:15. /Gazeta Express/