Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka nisur sot rinumërimin e votave preferenciale për kandidatët e Partisë Demokratike në 42 kuti votimi në qarkun e Dibrës. Kjo procedurë erdhi pas kërkesës së ish-deputetit Xhemal Gjunkshi, i cili pretendon se gjatë procesit të numërimit fillestar i janë vjedhur votat.
Në hapje të mbledhjes, anëtari i KAS-it, Elvin Lako, bëri një sqarim teknik duke theksuar se numri i kutive të votimit është 42 dhe jo 44, siç ishte raportuar fillimisht. “Nga një verifikim, na rezulton që kemi një dublikim të një QV. QV 1029/00 e keni shkruar dy herë. QV 1096/00 i përket KQZAZ 19. Ne sot do të kqyrim 42 kuti votimi”, u shpreh Lako.
Xhemal Gjunkshi nuk arriti të siguronte një mandat në zgjedhjet e fundit, me rezultatet që u shpallën më 11 maj. Rinumerimi i votave pritet të hedhë dritë mbi pretendimet për parregullsi në garën brenda Partisë Demokratike në këtë qark.