Pas prangimit vjen incesti - Gazeta Express
string(26) "pas-prangimit-vjen-incesti"

Gazeta Express

28/08/2020 9:41

Pas prangimit vjen incesti

Gazeta Express

28/08/2020 9:41

Një vajzë nga Mitrovica ikë pyjeve për t’i shpëtuar incestit me babain e saj. Ç’bëri babai i saj me atë, para se bota ta merr vesh prirjen incestioze të tij? Si jetoi vajza në atë shtëpi para se të përlajë malin?

Olympe de Gouges – është emri dhe rasti i historisë, i cili më së bukuri në vete përfshin gjitha dimensionet (politike, historike, kulturore, religjioze) që çojnë deri tek dukuria e incestit.

Lexo Edhe:

„Mashkull, a je i aftë, të jesh i drejtë“! (Geier, 2012). Olympe de Gouges ia doli të bindë Luin e XVI-të që me 13 shtator të viti 1791 ta nënshkruajë „Deklaratën për të Drejtat e Femrës“, në të cilën përsëpariherë në historinë e qytetërimit u tha bardhezi se: „që nga lindja janë dhe mbeten njerëzit të lirë dhe në të drejta të barabartë“. Gratë njerëz? Me të drejta të njëjta si meshkujt? Marie Gouze, e detyruar me dhunë të martohet si 17 vjeçare, e bërë nënë me 18 dhe e vejë me 19, përkundër luftës, suksesit dhe martirizimit të saj [1] nuk e përmbylli kapitullin barbar të përdhunimit të gjinisë afallusike. Asaj iu pré koka por si fat dhe biografi s’vdiq kurrë. Fati i saj është si ura që siguron kontinuitetin e një dukurie të shëmtuar e prezente që nga parantika deri në postmodernë: shkelja kriminele e femrës nuk u reduktua asnjëherë!

Ne dimë vetëm për luftën dhe kokëprérjen e saj. Folim pra vetëm për atë që historisë së kësaj pune i doli në vitrinë. Fare pak trajtojmë origjinën, brumosjen, formimin e saj si viktimë. Para se miliona Olympe de Gouges të dalin jashtë, ato përdhunohen sistematikisht në shtëpi. Nuk e kemi fjalën për rrëfimet si ai i Edipit, ku i biri mbarësonte fëmijë me nënën e tij pa ditur gjë, fjalën e kemi për këto ngjarjet e kohës sonë, raste që janë të shumta, dhe të cilat i marrim vesh veç pasi prindi të arrestohet (e saora lirohet) për dhunimin seksual të vajzës së tij.

II.

Tri ditë më herët u gjet një vajzë në Ferizaj. Raporti i policisë [2]: e mbytur dhe e dhunuar seksualisht. Mbrëmë në ora 22:10, ‘GazetaExpress‘ botoi lajmin: „Vajza nga Mitrovica iku në mal, pasi babai i kërkoi marrëdhënie seksuale“. Për tri ditë vajza nuk kthehet në shtëpi. Ajo flenë pyjeve. Në ç’gjendje vallë? Me dilemën se a ia vlen të jetojë apo jo? Nuk do habitemi fare nëse pas një jave policia del me deklaratën se „vajza ka imagjinuar sulmin me synimin për të ikur tek dashnori“. Spekulojmë kështu ngase ky nuk është rasti i tretë apo katërt. Tashmë janë regjistruar plotë raste ku vriten barbarisht vajzat dhe gratë. Është ky njëri prej atyre që pati fat të kap zonat publike falë rezistencës apo vendimit të vajzës që mos të jetë më skllave seksi e të atit. Janë mijëra. Dukuria është frymëzënëse, sidomos kur vërdallesh zonave virtuale dhe lexon e sheh statuse që marrin në mbrojtje një boshnjak në Francë, i cili i preu kokën dhe gjymtyrët vajzës së tij pasi mori vesh se ajo ka një dashnor me origjinë serbe. E bëri nga xhelozia? Po për çka e mbron boshnjakun kriminel një gazetar shqiptar e ish-këshilltar politik bashkë me mijëra tjerë bashkëmendimtarë rrjetit social? E mbrojnë vetëm se qenka mysliman apo se janë të një mendësie si ai?

III.

Ja sapo të lexohet ky tekst do dalin apologjetët zyrtarë dhe do të thonë mos e bëni „mizën elefant“. E çka të thonë më shumë kur vetë sponsorizojnë gjendje të tilla, qoftë duke hyrë në aleanca me ata të mendësisë së llojit për vota e qoftë se në thelb vetë besojnë e mendojnë ashtu: femra të jetë qenie e pavlerë! „Por ja që s’bën pa ato“ – siç nënvizoi një komentues tek profili i një imami në zë.

Në disa shtete të perëndimit bëhet luftë ndërmjet organeve që merren me mbrojtjen e fëmijëve dhe prindërve me origjinë shqiptare: këta i fshehin vajzat e tyre të mitura (duke u thënë se janë në Kosovë a Maqedoni) nga shteti e shkolla. Disa prej tyre kapen pastaj rrugës, duke shkuar, me hixhab në kokë, për në mejtepet e xhamive të instaluara bodrumeve të komplekseve të braktisura industriale. Për çdo ditë kur del të nisesh për në punë sheh të mitura se si ndërrojnë rrugës teshat se kanë turp të mbërrijnë në shkollë ashtu siç i detyron babai, e ëma apo hoxha. Internatet janë plotë me të ikura të mitura nga banesat e prindërve – plotë me shqiptare!

Ku çon ky kontroll? Ky pushtet patriarkal i egër është vetëm shenja se shumica e femrave përfundojnë si Olympe de Gouges, duke i martuar me dhunë në moshën 17 vjeçare, respektivisht ato përfundojnë si ajo vajza e Mitrovicës që përlau pyjet për t’i shpëtuar dhunimit të një krimineli ordiner që incestin e konsideron ndoshta dhuratë për mundin prindëror ndaj saj.

IV.

Dukuria nuk zhduket me deklarata e as me artikuj. As me patriotizëm të rremë, i cili na bënë poza sikur të mos jetë kjo veti e „racës së bukur pellazge“. As me qeveri, të cilat nga koketeria me organizata e individë, të cilat femrën e konsiderojnë të pavlerë dhe që duhet fshehur nga sytë e botës, nuk zgjidhet ky problem. Dukuria është universale. Gjersa perëndimit është eksesiv dhe i dënueshëm, në shumicën e vendeve të pazhvilluara është masiv. Si në vendet shqiptare. Aktualisht në sferat shqiptare edhe një gjë e përbën dallimin: me riaktivizimin e ekstremistëve religjiozë, incestivi dhe dhunuesi fizik me tërrllëk, fes e plis shfrytëzon ideologjinë justifikuese që ia jep një religjion i caktuar për vënien nën kontroll sa më total të femrës para se ta dhunojë edhe seksualisht atë. Duhen mekanizma aktiv të instaluar shkollave e lagjeve, firmave e zyrave – si në perëndim – të cilat me vigjilencë e luftojnë këtë dukuri të tmerrshme. Përndryshe: me sigurinë më të madhe ajo i vajza e Mitrovicës shumë herë do t’i ketë thënë vetes: „më mirë të më kishin mbytur pas lindjes se kështu“!

***

[1] Robespierre e gijotinoi me 3 nëntor të viti 1793.

[2] GazetaExpress: Dyshohet se në Ferizaj një femër u dhunua seksualisht!