58.3 milionë franga për të forcuar pjesëmarrjen e Zvicrës në kërkimin evropian
Fondet do të përdoren për pjesëmarrjen e Zvicrës në programet evropiane të kërkimit shkencor, pasi vendi u rikthye në këto iniciativa gjatë vitit 2025, përcjell albinfo.ch.
Parlamenti i Zvicrës ka miratuar ndarjen e 58.3 milionë frangave shtesë për programet kërkimore të Bashkimit Evropian, duke siguruar vazhdimin e pjesëmarrjes së vendit në disa nga projektet më të mëdha shkencore në botë.
Mjetet financiare do të destinohen kryesisht për programin Horizon Europe, programin bërthamor Euratom, si dhe për iniciativa të tjera kërkimore të BE-së.
Pas disa vitesh përjashtimi nga këto programe, Zvicra u rikthye si pjesëmarrëse në vitin 2025. Autoritetet zvicerane e konsiderojnë pjesëmarrjen në këto projekte si jetike për universitetet, institutet kërkimore dhe sektorin e inovacionit.
Qeveria federale ka theksuar se synon të garantojë përfshirjen afatgjatë të Zvicrës në infrastrukturën më të madhe kërkimore në nivel global, duke u mundësuar studiuesve dhe kompanive zvicerane qasje në projekte ndërkombëtare, financime dhe bashkëpunime shkencore.
Programi Horizon Europe konsiderohet një nga instrumentet më të rëndësishme të financimit të kërkimit dhe inovacionit në Evropë, me miliarda euro të dedikuara për projekte shkencore dhe teknologjike.