Panik dhe alarm në aeroportin “Eleftherios Venizelos” në Athinë, pasi një avion Airbus A321 i kompanisë Lufthansa me 177 pasagjerë dhe 7 persona të ekuipazhit u detyrua të kryente ulje emergjente për shkak të një problemi teknik.
Bëhet fjalë për fluturimin LH1753 me destinacion Mynihun dhe pilotët e avionit që ishte ngritur nga Athina në orën 18:19, vetëm pak minuta më vonë informuan pasagjerët se avioni duhej të kthehej menjëherë në aeroport për arsye sigurie.
Sipas mediave greke, problemi teknik u konstatua gjatë fluturimit, ndërsa rreth orës 18:35 piloti kërkoi kthim emergjent në aeroportin “Eleftherios Venizelos”.
Ulja u realizua pa probleme, megjithatë menjëherë pas ndalimit të avionit u aktivizuan procedurat e evakuimit emergjent. Stjuardesat hapën dyert e avionit, aktivizuan rrëshqitëset fryrëse të emergjencës dhe u kërkuan pasagjerëve të largoheshin sa më shpejt nga kabina siç pasqyrohet edhe në një video që po bën xhirron e mediave greke.
Për disa minuta në bord mbizotëroi tension dhe konfuzion, ndërsa udhëtarët përpiqeshin të dilnin menjëherë nga avioni.
Në pistë ishin vendosur automjete zjarrfikëse dhe forca të sigurisë së aeroportit, ndërsa zjarrfikësit dhe personeli i emergjencës orientonin pasagjerët drejt zonave të sigurta.
Sipas autoriteteve greke, si ekuipazhi ashtu edhe të gjithë pasagjerët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjatë evakuimit pati dy lëndime të lehta.
Ndërkohë, aventura e pasagjerëve nuk përfundoi me uljen emergjente në Athinë. Sipas mediave greke, ata u nisën sërish sot drejt Mynihut, por gjatë fluturimit përjetuan edhe dy incidente të tjera.
Fillimisht, një i moshuar humbi ndjenjat në bord dhe ekuipazhi shqyrtoi mundësinë e një tjetër uljeje emergjente, derisa një mjek që ndodhej në avion i dha ndihmën e parë.
Më pas, gjatë uljes në Mynih, avioni preku pothuajse pistën, por në momentet e fundit mori sërish lartësi dhe u ul disa minuta më vonë. Sipas raportimeve, në aeroportin e Mynihut janë vënë në dispozicion edhe psikologë për pasagjerët që dëshirojnë të flasin për përvojën e tyre.