Pandemia në sytë e një studenteje në Çikago - Gazeta Express
string(43) "pandemia-ne-syte-e-nje-studenteje-ne-cikago"

Pandemia në sytë e një studenteje në Çikago

Gazeta Express

17/07/2020 16:50

Të jetuarit nën pandeminë ka qenë sfiduese për të gjithë ne. Në një mënyrë apo tjetrën secili ndjen ndryshimin. Dua të besoj që pandemia na ka ndryshuar për mirë. Gjatë jetës sime, pandemia ka qenë fatkeqësia, të cilën e përjetoi e gjithë bota njëkohësisht. Të gjithë ecim në këpucët e njëri-tjetrit. Ndjehemi të lidhur, përkundër perceptimeve dalluese. Dhe po i përshtatemi mënyrës së re të të jetuarit. Kjo më jep shpresë se mund të tejkalojmë çdo sfidë. Mundësitë e sotme të komunikimit më bëjnë të ndjehem mirënjohëse në këto kohë të përpjekjës.

Shkruan: Zanë Deliu

Lexo Edhe:

Me 11 mars 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli COVID-19 pandemi globale. Pak më pas, Shtetet e Bashkuara deklaruan gjenden e emergjencës kombëtare. Të jetuarit gjatë pandemisë ishte një rrugëtim i mbushur me frikë, konfuzion, vetë-reflektim, zhvillim personal dhe profesional si dhe shpresë për humanitetin.

Në fazat e hershme të pandemisë, shoqëria jonë u përshkua nga paniku dhe frika ndaj të panjohurës. Ndjehej gjatë bisedave me miqtë dhe familjen, e shihja në sytë punëtorëve të dyqaneve ushqimore dhe konsumatorëve që blenin ushqim me shumicë, dhe në paraqitjet nëpër mediat sociale. Rrugët kumbuese të Chicago’s që dikur ishin plot jetë, mbeten të zbrazëta dhe të heshtura. Me javë nuk dola nga shtëpia. Izolimi ishte i njohur për mua. Më kujtoi fëmijërinë gjatë kohës së luftës në Kosovë. Kur lufta shpërtheu në periferitë e qytetit tim, unë dhe familja qëndruam të mbyllur në banesë për javë të tëra. As perdet nuk guxonim t’i hapnim nga snajperët që kishin rrethuar qytetin.

Qilarin e kishim mbushur me qese të miellit dhe vajit. Nënvetëdijshëm, qeset me miell dhe shishet e vajit ishin gjërat e para që mbërtheva në dyqan gjatë pandemisë. Mielli ka mbetur në qilar i pashfrytëzueshëm. Pyesja veten nëse ngjashëm kishin vepruar edhe miqtë dhe familja në vendlindje, gjatë pandemisë. Për herë të parë në këto 21 vjet po përjetonim të njëjtën ndjenjë të luftës. Derisa pandemia kishte ndezur disa kujtime të pakëndshme, ajo gjithashtu na ofroi edhe më shumë dhe na kujtoi sa larg kemi arritur së bashku. Planet ta vizitojë familjen në prill m’u anuluan, por asnjëherë nuk jam ndjerë më afër tyre.

Në vend të ndërvperimit personal, unë, sikurse shumë tjerë, iu ktheva teknologjisë dhe medias sociale për të mbajtur kontaktin me familjen dhe miqtë. Përdorja “Zoom” për takime me shoqëri dhe lojëra të mbrëmjes me familjarët. Luaja me mbesat dhe nipërit lojëra online nëpërmjet telefonit të mençur. M’u rindez dashuria për shkrimin në letër duke ma kujtuar se sa shumë e kam shijuar. Kur erdha për herë të parë në Shtetet e Bashkuara më 2006, përdorja telefonë me parapagim (pre-paid) për të folur me familjen në Kosovë. Mundësitë e sotme të komunikimit më bëjnë të ndjehem mirënjohëse në këto kohë të provës.

Gjatë gjysmë-semestrit pranveror u detyruam të kalojmë në mësimin online. Isha ndihmëse-ligjëruese e Biologjisë molekulare në një klasë me 250 studentë. Ishte sfidë të mbaje kontaktin me të gjithë studentët. Profesori dhe ne mësimdhënësit asistentë u përqendru të maksimalizojnë ndërveprimin duke shtuar kohën e diskutimit online. Gjithashtu inicuam fillimin e grupeve shtesë të studimit online. Mbeta e mahnitur sa mirë e trajtuan këtë situatë studentët, pavarësisht gjitha pengesave. Ishin jashtëzakonisht të angazhuar gjatë diskutimit, madje disa lëshonin edhe ndonjë batutë.

Meqenëse më duhej të ligjëroja nga shtëpia, u detyrova të ndaloj edhe eksperimentimet në laborator. Në vend të laboratorit u përqendrova të shkruaj dhe lexoj literaturë relevante për projektin tim. Mendimet më dërgonin tek personat që nuk e kishin mundësinë të punonin nga shtëpia dhe ata që kishin humbur punën. Gjatë kolegjit kam punuar si shërbyese dhe mendoja shumë për njerëzit në industrinë e shërbimeve. Në kohën time të lirë jo rrallë luaja ping-pong në një klub të qytetit. Klubi u mbyll dhe punëtorët që u bënë miqtë tanë humbën të gjithë vendet e punës. Unë dhe bashkëlojtarët vendosëm të mbledhim të holla për këta punëtorë. Këta janë vetëm disa nga shumë veta që njoh, të cilët kanë humbur vendet e tyre të punës gjatë rënies së shkallës së punësimit në mbarë botën. Ishte shumë inspiruese njohja e njerëzve që dhuronin në çfarëdo mënyre, për të ndihmuar të tjerët në këto kohë të krizave.

COVID-19 ka prekur edhe punën time vullnetare në UIC (Klinikën Hematologjike/Onkologjike). Një nga objektivat e projektit kërkon zhvillimin personalisht të intervistave me personat që vuajnë nga kanceri, të cilët kanë histori të dokumentuar të abuzimit me substanca. Gjatë pandemisë më nuk kishim mundësinë personalisht t’i zhvillonim intervistat, kështu që hartuam protokolin për zhvillim virtual të intervistave.

Pandemia ka ndikuar shoqërinë tonë në shumë aspekte. Kuptova që shpesh zhytemi në botën tonë, të pavetëdijshëm për të gjitha entitetet tjera që përbëjnë shoqërinë tonë. Shoqëria jonë funksionon si një organizëm i gjallë. Secila pjesë e këtij organizmi të gjallë luan rol vendimtar në mbarëvajtjen e stabilitetit dhe organizmi nuk mund të funksionojë si një tërësi pa vlerësuar të gjithë përbërësit e tij. Nga stafi i mirëmbajtjes deri te radhët më të larta qeveritare, puna jonë është e barazvlefshme.

Të jetuarit nën pandeminë ka qenë sfiduese për të gjithë ne. Në një mënyrë apo tjetrën secili ndjen ndryshimin. Dua të besoj që pandemia na ka ndryshuar për mirë. Gjatë jetës sime, pandemia ka qenë fatkeqësia, të cilën e përjetoi e gjithë bota njëkohësisht. Të gjithë ecim në këpucët e njëri-tjetrit. Ndjehemi të lidhur, përkundër perceptimeve dalluese. Dhe po i përshtatemi mënyrës së re të të jetuarit. Kjo më jep shpresë se mund të tejkalojmë çdo sfidë.

Mundësitë e sotme të komunikimit më bëjnë të ndjehem mirënjohëse në këto kohë të përpjekjës.

/Zanë Deliu, PhD Student, University of Illinois at Chicago