Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike dhe Sistemi Financiar - Gazeta Express
string(52) "pakoja-e-rimekembjes-ekonomike-dhe-sistemi-financiar"

Gazeta Express

23/06/2020 14:53

Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike dhe Sistemi Financiar

Gazeta Express

23/06/2020 14:53

BQK-ja ka qenë vazhdimisht në kontakt me të gjitha bankat për të diskutuar sfidat aktuale dhe ato në të ardhmen. Bankat në Kosovë kanë mundësi dhe janë të gatshme që të ndihmojnë në realizimin e masës një dhe tetë të planit për rimëkëmbje ekonomike.

Shkruan: Fehmi Mehmeti

Lexo Edhe:

Ditë më parë Kryeministri Hoti në takim me përfaqësuesit e asociacioneve të biznesit dhe ministrat e tij prezantoi pakon e rimëkëmbjes ekonomike të programit të tij qeverisës i cili përfshinë nëntë masa.

Masa e parë e kësaj pakoje është lehtësimi i qasjes në financa dhe subvencionim e normave të interesit. BQK-ja që nga fillimi i pandemisë e ka përkrahur një masë të tillë dhe vazhdimisht ka potencuar që plani i rimëkëmbjes ekonomike duhet të ketë në fokus rritjen e kreditimit me qëllim të rritjes së konsumit dhe investimeve në Kosovë. Kjo masë është rekomanduar dhe përkrahur gjithashtu edhe nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Sektori bankar ka një rol shumë të rëndësishëm në minimizimin e pasojave negative makroekonomike të shkaktuara nga pandemia e paprecedentë që tashmë ka përfshirë pothuajse të gjitha vendet. Sektori bankar duhet të mbështes huamarrësit e dëmtuar duke vazhduar kreditimin e ekonomisë dhe në të njëjtën kohë duhet të ruaj stabilitetin financiar. Siç edhe e kam thëne edhe me herët sektori bankar i Kosovës ka qenë dhe është në gjendje shumë të mirë për përballuar këtë sfidë dhe për të përkrahur edhe më shumë ekonominë e Kosovës.

BQK-ja që nga fillimi i pandemisë ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbështetur ekonominë e Kosovës duke përdorur fleksibilitetin rregullativ për të mundësuar shtyrjen e pagesave të kredive pa kërkuar klasifikim të kredive. Së fundi BQK gjithashtu ka aprovuar udhëzimin për ristrukturimin e kredive për shkak të Covid-19. Ky udhëzim ka për qëllim që të lehtësoj procesin e ristrukturimit të kredive duke qartësuar kriteret mbi të cilat duhet të bazohet procesi i ristrukturimit të kredive në mënyrë që kredimarrësit në vështirësi financiare të kenë mundësinë të përmbushin detyrimet e parapara me kontratë dhe të rikthejnë në normalitet aktivitetin e tyre biznesor. Ky udhëzim nuk ka për qëllim dhe as nuk duhet të kuptohet si një mundësi për fshehje apo shtyrje të njohës së humbjeve të pritura kreditore nga bankat. Ky udhëzim do të ndihmoj planin për rimëkëmbje ekonomike pasi që në pikën 1b parasheh riprogramimin e kredive ekzistuese bankare.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbejnë pjesën më të madhe të bizneseve në Kosovë. Në të gjitha ekonomitë ato luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik duke përmirësuar shpërndarjen e të ardhurave, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e eksportit. Lehtësimi i qasja në financim nga institucionet kredidhënëse për këtë kategori të ndërmarrjeve është shumë i rëndësishëm pasi që financimi nga burimet tjera është i kufizuar. Suksesi i këtyre ndërmarrjeve dhe në të njëjtën kohë suksesi i ekonomisë së Kosovës varet nga qasja e tyre në financa dhe mbështetja financiare nga qeveria. Në shumë vende tjera por edhe në Kosovë skemat e garantimit të kredive kanë adresuar ketë çështje duke stimuluar rritjen e kredive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nëpërmjet garantimit të kredive.

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është një nga akterët kyç në lehtësimin e qasjes në financa. Rritja e mbulueshmërisë së kredive të reja përmes këtij fondi do të stimuloj rritjen e kredive qoftë përmes rritjes së kërkesës pasi që lehtëson qasjen në financa qoftë përmes rritjes së ofertës pasi që bankat do të jenë më pak të ekspozuara ndaj rrezikut kreditor.

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore duhet që në mënyrë aktive të mbështes këtë sektor duke rritur vetëdijen e këtij sektori për burimet alternative të financimit si lizingu dhe faktoringu. Gjithashtu ka hapësirë që edukimi financiar të përmirësohet për të ju mundësuar këtyre ndërmarrjeve të zhvillojnë aftësi të reja lidhur menaxhimin e financave dhe planifikimin biznesor. Kjo do t’i bënte klient më të mirë për të shfrytëzuar shërbimet dhe produktet financiare të bankave. 

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore duhet të shfrytëzoj këtë mbështetje nga plani i rimëkëmbjes ekonomike jo vetëm që të zgjeroj gamën e produkteve por të përmirësoj edhe produktet ekzistuese si dhe të shikoj edhe mundësinë e garantimit të kredive edhe për pjesëmarrësit tjerë në ekonomi të cilët kanë vështirësi në qasjen në financa.

Masa e tetë e pakos së rimëkëmbjes ekonomike është masë mbështetëse për ekonomi nga sektori financiar. Për implementimin e kësaj mase BQK-ja do të marrë veprime për të mbështetur ekonominë por në të njëjtën kohë do të ruaj stabilitetin financiar. BQK-ja do të rishikoj nivelet minimale të mjaftueshmërisë së kapitalit dhe të likuiditetit të bankave për të stimuluar rritjen e kreditimit ndaj sektorit real.

Me qëllim të lehtësimit të kërkesave të mjaftueshmërisë së kapitalit BQK do të rishikoj kornizën rregullative dhe do të peshoj me rrezik më të ulët të gjitha kreditë ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Ky zvogëlim në peshën e rrezikut të këtyre kredive do të jetë në harmoni me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe nuk do të rrezikoj stabilitetin financiar. Ky veprim do të ndihmoj edhe masën e parë të planit për rimëkëmbje ekonomike pasi që do të lehtësoj edhe më shumë qasjen në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme duke iu kërkuar bankave mjaftueshmëri më të ulët të kapitalit për këto kredi. Gjithashtu kreditë e siguruara me patundshmëri komerciale do të merren parasysh për tu peshuar me rrezik më të ulët. Këto lehtësime do të ju mundësojnë bankave që të rrisin kreditim në këto dy kategori të kredive.

Sa i përket zvogëlimit të kërkesave për likuiditet, aktualisht bankat kanë nivele të larta të likuiditetit dhe nuk kanë pengesë në këtë drejtim për të kredituar ekonominë. Në rast se në të ardhmen bankat do të kenë kufizime apo vështirësi në likuiditet, BQK-ja do të përdor përkohësisht fleksibilitetin rregullativ duke zvogëluar rezervën minimale dhe kërkesat tjera për nivele të likuiditetit.

Aktualisht të gjithë parametrat e performancës financiare të bankave tregojnë aftësi të këtyre bankave për tu përballur me sfidat aktuale dhe te ndihmojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. BQK-ja ka qenë vazhdimisht në kontakt me të gjitha bankat për të diskutuar sfidat aktuale dhe ato në të ardhmen. Bankat në Kosovë kanë mundësi dhe janë të gatshme që të ndihmojnë në realizimin e masës një dhe tetë të planit për rimëkëmbje ekonomike.

Duke pasur parasysh veprimet tona, stabilitetin financiar aktual dhe mundësinë që edhe me shumë do të lehtësohen masat kufizuese, jam i bindur që gjysma e dytë e këtij vitit do të jetë shumë më e mirë në aspektin ekonomik dhe do të zvogëlojë efektin negativ ekonomik që kishim në gjysmën e parë.

/Autori është Guvernator i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës