Paditësja kërkon rreth 30 mijë euro kompensim dëmi për aksidentin e trafikut të vitit 2013 - Gazeta Express
string(90) "paditesja-kerkon-rreth-30-mije-euro-kompensim-demi-per-aksidentin-e-trafikut-te-vitit-2013"

Gazeta Express

10/12/2019 16:30

Paditësja kërkon rreth 30 mijë euro kompensim dëmi për aksidentin e trafikut të vitit 2013

Gazeta Express

10/12/2019 16:30

Me pretendimin se kishte pësuar lëndime të rënda trupore në aksident trafiku, që kishte ndodhur në vitin 2013, paditësja Shpresa Sekiraqa, po kërkon nga kompania e sigurimeve “Kosova e Re”, kompensimin e dëmit material dhe jo material, në vlerë prej 29,400 euro.

Sipas padisë, në shkurt të viti 2013, në rrugën Prishtinë-Podujevë, është shkaktuar aksident trafiku, me fajin e automjetit i cili ishte i siguruar te kompania e sigurimeve “Kosova e Re”, ku paditësja Sekiraqa, ishte në cilësinë e bashkudhëtares.

Lexo Edhe:

Lidhur me këtë rast, të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në shqyrtimin gjyqësor, përfaqësuesi i paditëses, avokati Halim Mujku, tha se ekspertizën financiare e kishte pranuar dhe se për të kishte vërejtje.

Ai tha se ekspertiza financiare ishte punuar duke e marr për bazë zvogëlimin e aktivitetit të përgjithshëm jetësor, e jo zvogëlimin e aftësisë së punës prej 30%, ku siç tha ai, do të duhet të ishte në bazë të ekspertizës së mjekësisë së punës.

Po ashtu, ai tha se nga tabela në ekspertizë, te renta mujore sipas tij, nuk ishte e qartë vlera e kalkuluar.

Andaj, ai i ka propozuar gjykatës që të njëjtën ta kthej në plotësim, me arsyetimin se duhet të kalkulohet në bazë të zvogëlimit të aftësisë së punës, sipas ekspertizës përkatëse si dhe të ftohet ekspertja që sipas tij, të sqarojë kalkulimin e vlerës neto mujore të rentës.

E në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës, avokati Veton Robaj, sa i përket ekspertizës financiare e ka kontestuar me arsyetimin se me rastin e përpilimit të saj, siç tha ai, nuk është sqaruar se në bazë të cilës kategori profesionale i është referuar ekspertja, me rastin e përcaktimit të shumës mujore për pagesë.

Gjithashtu, ai tha se ajo nuk e kishte marr parasysh trustin e kursimeve pensionale apo kontributet mbi bazën e së cilës, sipas tij, do të vërtetohet nëse gjatë periudhës kontestuese paditësja ka punuar.

Po ashtu, ai tha se nuk ishte marrë parasysh as ekspertiza aktuaristike e ekspertit Aziz Berisha, ku siç tha ai, sipas së njëjtës vërtetohet se paditësja përfiton rentën mujore prej 299 euro, si e papunë.

Sipas tij, e paditura kishte verifikuar nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), se i ndjeri S.K, ka pasur të regjistruar një biznes individual, ku siç tha ai, e trashëgon sipas ligjit trashëgimtari ligjor, e që në rastin konkret sipas tij, është paditësja.

Ai tha se ekspertja duhet të verifikojë në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), nëse ky biznesi është ende aktiv.

Pas kësaj gjykatësi Dren Rogova, e ka aprovuar propozimin e palëve ndërgjyqëse për plotësimin e ekspertizës akuaristike.

Ai e ka obliguar eksperten financiare, Vetima Vuçitërna, që ekspertizën financiare ta plotësojë ashtu që të llogaritet duke marr për bazë vlerën prej 30%, të zvogëlimit të aktivitetit punues.

Po ashtu, ai tha se ekspertja ka për obligim që me rastin e plotësimit të ekspertizës të merr parasysh deklarimet eventuale të paditëses në trustin pensional dhe në ATK, sipas të cilës, duhet të vërtetohet nëse paditësja ka të hyra nga puna e saj, si dhe me rastin e përcaktimit të shumës mujore të rentës, e njëjta duhet të përcaktojë se në bazë të cilit kualifikim përcaktohet renta.

Ai e ka obliguar edhe Trustin Pensional si dhe ATK-në, që ekspertes t’i lejohet qasja në dokumentacionin e nevojshëm për paditësen.

Seanca e radhës është caktuar më 9 janar 2020, nga ora 11:00.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 29 gusht 2013, paditësja Shpresa Sekiraqa, po kërkon nga e paditura, kompania e sigurimeve “Kosova e Re”, kompensimin e dëmit material dhe jo material në vlerë prej 29.400 euro.

Sipas padisë. më 17 shkurt 2013, në rrugën Prishtinë-Podujevë, në vendin “Qershiat e Llapashticës”, Podujevë, është shkaktuar aksident komunikacioni nga ngasësi i automjetit “Mercedes”, i cili ishte i siguruar tek “Kosova e Re”.

Siç thuhet në padi, aksidenti ishte shkaktuar për shkak se ngasësi i automjetit “Mercedes”, nuk e kishte përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe për shkak të kushteve të rrugës, nuk kishte mundur të qëndronte në shiritin e tij, ku ishte duke qarkulluar.

Në padi thuhet se i njëjti kishte kaluar në shiritin që shërben për lëvizje nga drejtimi i kundërt ku si pasojë e këtij aksidenti kishte pësuar lëndime të rënda trupore, tani paditësja që ishte pasagjere në këtë automjet. /BetimipërDrejtësi