Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Gostivar kundër personit Isen Shabani, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Vrapçishtit, për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“I denoncuari I.SH., gjatë vitit 2025, i ka tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tij zyrtare dhe ka vepruar në kundërshtim me nenin 157 paragrafi 1 të Ligjit për Furnizime Publike (“Gazeta Zyrtare e RM-së” nr.24/2019 e datës 01.02.2019), në atë mënyrë që ka lidhur kontratë për furnizim me punë – Rikonstruimi i rrugës lokale në Dobërdoll, nga qendra e fshatit deri te kryqëzimi me rrugën rrugën anësore shërbyese pranë rrugës shtetërore A2, aksi Tetovë-Gostivar, nr.0507-219/17 të datës 03.04.2025, me operatorin ekonomik të zgjedhur, pa e pritur vendimin përfundimtar lidhur me ankesën e paraqitur në Komisionin Shtetëror për Ankesa në Furnizime Publike, sipas të cilit vendimi për zgjedhjen ishte anuluar”, thuhet në njoftimin e Policisë Financiare.
Pavarësisht këtij vendimi nga Komisioni Shtetëror për Ankesa në Furnizime Publike, i denoncuari ka kryer pagesë në bazë të kontratës së lidhur ndaj personit juridik në shumë të përgjithshme prej 11.848.675 denarësh, me ç’rast i ka mundësuar personit juridik të përfitojë dobi pasurore kundërligjore në shumën e përmendur.
tag_katrorimaqedoni_2