Ngërçi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës po hyn në ditët vendimtare. Kur kanë mbetur vetëm edhe pesë ditë kohë që kjo çështje të zgjidhet, kryeministri sërish deklaroi se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të reja, pasi ato nuk do të sillnin zgjidhje.
Fajin për moszgjedhjen e presidentit, Kurti ua ka vënë partive opozitare për, siç tha, mungesë vullneti për marrëveshje, duke theksuar se ka bërë disa oferta konkrete për bashkëpunim, si ndaj LDK-së ashtu edhe ndaj PDK-së.
“Po nëse do të bëheshin këto bashkë do ta kishin një kandidiat, le t’i përdorin kriteret që i përdorin për neve, një kandidat jashtë skenës politike aktuale dhe le të ecim përpara”, tha Kurti
Thirrje që të shmangen edhe një palë zgjedhje të reja ka bërë të martën, ushtruesja e detyrës së presidentit dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Unë kam kërkuar edhe publikisht që të gjitha Grupet Parlamentare të bëjnë përpjekje maksimale që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Haxhiu. .
Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se i ka mbyllur diskutimet me Kurtin për çështjen e presidentit. Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila druhet se mund të përdoret vetëm për zgjedhjen e presidentit dhe më pas të lihet jashtë qeverisjes.
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se ofertat e kreut të Vetëvendosjes ndaj partive opozitare ishin minimaliste, andaj, sipas tij, opozita nuk ka si ta arsyetojë elektoratin e saj, nëse i japin Kurtit fuqi në vendimmarrje, të paparë deri më tani.
“Posti i presidentit ka peshë të jashtëzakonshme, veçanërisht nëse është në të njëjtën linjë me postin e kryeministrit, pra është një fuqi madhore vendimmarrëse, dhe natyrisht që për një gjë të tillë kryeministri Kurti është dashur që të bëjë kompromise shumë të mëdha sesa ato që i ka paraqitur, besoj që janë të pamjaftueshme”, tha Muhaxhiri.
Profesori, Dorajet Imeri, konsideron se Vetëvendosje ka ofruar një lloj oferte e cila nuk e prek bazën e pushtetit real që ajo ka tash, derisa LDK, sipas tij, synon diçka që nuk e mori në zgjedhjet e fundit.
Sipas Imerit, ky post duhet t’i takojë dikujt që ka më shumë ulëse në Kuvend ose dikujt që ka pranueshmëri më të gjerë.
”Fakti që nuk kanë prezantuar asnjë emër i ka zbehë ato në qëndrimet politike që kanë mbajtur. Fakti që Lëvizja Vetëvendosje po tregohet pak më e ngurtë në kuptimin e një fleksibiliteti në negociim e bën edhe atë hisedar për këtë situatë në të cilën jemi. Qëndrimi si i njërës dhe tjetrës nuk janë në linjë me idenë që të prodhohet zgjidhje”, tha Imeri.
Afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit përfundon më 27 prill. Nëse nuk arrihet marrëveshje, vendi automatikisht shkon në zgjedhje të reja./RTK