Pa emërtimin e saktë të palëve, nuk mund të ketë sukses në negociata, as në Bruksel, as në Uashington - Gazeta Express
string(98) "pa-emertimin-e-sakte-te-paleve-nuk-mund-te-kete-sukses-ne-negociata-as-ne-bruksel-as-ne-uashington"

Pa emërtimin e saktë të palëve, nuk mund të ketë sukses në negociata, as në Bruksel, as në Uashington

Gazeta Express

16/08/2020 15:02

Shkruan: Milazim Krasniqi

Për suksesin e negociatave, qoftë në Uashington, qoftë në Bruksel, fillimisht duhet që palët të emërtohen me emrat dhe me statuset e vërtetë, që kanë për vete. Pra, jo si i emërtojnë të tjerët, po si emërtohen ato vetë. Në këtë kontekst, duhet që Kosova të emërtohet Kosova, (e jo Kosova i Metohija) edhe nga pala serbe, sikundër që pala serbe duhet ta pranojë se po bisedon me një subjekt që e ka shpall veten shtet.  Ndryshe, nuk ka logjikë, sepse po të negocohej me një “pjesë të territorit të Serbisë”, do të ishte fjala për çështje të brendshme të saj, e nuk do të ishte sikundër është, çështje e OKB-së, e NATO-s, e BE-së dhe e Uashingtonit. 

Lexo Edhe:

Këtë leksion Serbisë duhet t’ia mësojnë ndërmjetësuesit, nëse synojnë të arrihet sukses dhe të mbyllet konflikti. Por para se t’ia mësojnë këtë leksion Serbisë, ndërmjetësit, në këtë rast, Bashkimi Evropian, duhet ta mësojë për vete. Bashkimi Evropian duhet ta emërojë Kosovën shtet, qoftë dhe me një fusnotë, ku mund të thuhet se pesë shtete të BE-së nuk e njohin. Pra, shtetet që e kanë njohur Kosovën si shtet, duhet ta konfirmojnë edhe në ndërmjetësimin që bëhet në emrin e tyre, e jo ta injorojnë edhe vendimin e vet. Deri sot jo vetëm që nuk e kanë bërë, por në fakt nuk e kanë trajtuar Kosovën si shtet as shtetet që formalisht e kanë njohur.

Prandaj nuk ka pasur asnjë sukses dialogu në Vjenë, as në Bruksel, as në Paris e Berlin a Munhen. As nuk mund të ketë kurrë sukses me këtë qëndrim injorues ndaj realitetit të Kosovës.

 Pse? Sepse kjo qasje e injorimit të Kosovës si shtet i shpallur, e ka inkurajuar Serbinë për pretentime joreale. Në vend se Serbia të kërkojë falje, të paguajë dëmshpërblimet e luftës dhe të pranojë realitetin e një shteti të ri, që ka dalë nga procesi i shpërbërjes së ish federatës jugosllave, Serbia ngre sërish pretendime objektivisht gjenocidale, sepse kontrolli i saj mbi Kosovën nuk mund të bëhet ndryshe, veçse me përsëritjen e gjenocidit. Por, këto pretendime serbe lancohen  kaq lirisht, ngase Kosova nuk trajtohet në dialog si shtet, as nga Bashkimi Evropian. Me këtë qasje, faktikisht Kosovës i kërkohet në mënyrë implicite që, minimalisht, të kthehet në koloni ekonomike të Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian!

Zyrtarët tanë shtetërorë e politikë duhet t’i kishin ditur me kohë këto gjëra, që nga Procesi i Vjenës e këndej. Por, nuk i kanë ditur. E pra, kanë mundur të mësonin nga përvoja e hidhur e marrëveshjeve të padrejta mes palëve të ndryshme, në kohë e vende të ndryshme. Fjala vjen, nga Marrëveshja e Osllos 1 dhe nga ajo e Uashingtonit, ndërmjet Izraelit e palestinezëve. 

Në marrëveshjen e Oslos 1 emërtimet e palëve ishin joproporcionale: shteti i Izraelit dhe OÇP, pra një organizatë palestineze, jo një shtet palestiznez. Si pasojë, Izraeli mori favoret që i duheshin, ndërsa Palestina e shkretë, shkaku i marrëveshjes së keqe dhe presioneve të Izraelit, u përfshi nga lufta e brendshme politike, e cila e bëri gjendjen edhe më të keqe nga sa ishte. 

Zyrtarët tanë e kanë edhe një episod fatkeq të vetë Kosovës, të cilin nuk duhet ta harrojnë: marrëveshja për shkollat ndërmjet Millosheviqit dhe Rugovës , ku Millosheviqi titullohej kryetar i shtetit ndërsa Rugova vetëm me firmën e vet e personale. Natyrisht marrëveshja shkoi për lesh, por për një çast i dha një oreolë si gjoja vullnemirë kriminelit serb. 

Edhe në takimin e Uashingtonit duhet të ketë emërtim të saktë të palëve. Jo nebuloza, që mandej “zhvakaten” nga pala arrogante si çamçakëz.  (16 gusht 2020)