Donald Trump tha se mund ta riparonte marrëdhënien e tij me ish-mikun e tij të ngushtë dhe miliarderin Elon Musk, por e bëri të qartë se pajtimi nuk është përparësi në këtë kohë.
Duke folur për New York Post, presidenti amerikan theksoi se nuk e fajëson Muskun për prishjen e fundit në marrëdhënien e tyre, megjithëse pranoi se ndihej “pak i zhgënjyer”.
“Nuk mbaj mëri”, tha presidenti 78-vjeçar i SHBA-së. “E vërteta është se u habita kur kjo ndodhi. Ai sulmoi një projektligj që është i shkëlqyer. Mendoj se ai në të vërtetë ndihet keq që e tha këtë”. Dhe shtoi: “Isha i zhgënjyer prej tij, por, e dini, kështu janë gjërat. Nuk e fajësoj. Isha vetëm pak i zhgënjyer”.
Shpërthimi i Muskut
Tensionet midis dy burrave u përshkallëzuan javën e kaluar kur Musk kritikoi publikisht projektligjin, i cili Zyra e Buxhetit të Kongresit vlerëson se do t’i shtojë 3 trilionë dollarë borxhit kombëtar gjatë dekadës së ardhshme. Shefi i Tesla dhe SpaceX, i cili drejtoi iniciativën e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) për uljen e shpenzimeve, synonte të ulte borxhin kombëtar, i cili tani është 37 trilionë dollarë.
Të enjten, Musk sulmoi personalisht Trump, duke thënë se presidenti nuk do t’i kishte fituar zgjedhjet e vitit 2024 pa mbështetjen e tij dhe duke e akuzuar atë për “mosmirënjohje”.
Vetëm gjashtë ditë para përplasjes publike të profilit të lartë, Trump kishte organizuar një ceremoni lamtumire në Shtëpinë e Bardhë për Musk, i cili në atë kohë po përfundonte mandatin e tij si këshilltar special i qeverisë. Në këtë event, presidenti e kishte lavdëruar Musk, i cili u shfaq me një sy të nxirë, dhe kishte sugjeruar se miku i tij miliarder “nuk po largohej vërtet”.
Kur u pyet nëse kishte një mundësi për të riparuar marrëdhënien e tyre, Trump u përgjigj: “Mendoj se mundem, por së pari duhet ta rregullojmë vendin. Misioni im i vetëm tani është ta kthej vendin në një nivel më të lartë se kurrë më parë. Dhe besoj se mund ta bëjmë këtë.”
Në deklaratat e mëparshme për gazetarët, Trump e kishte quajtur Musk “të çmendur” dhe e kishte lënë të hapur mundësinë e ndërprerjes së kontratave federale për kompanitë e tij. Duke folur në telefon për CNN të premten, presidenti komentoi: “I varfëri ka një problem”, pa dhënë hollësi.
Kur u pyet drejtpërdrejt nga një gazetar i New York Post nëse “problemet” e Musk ishin të lidhura me substancat, “Nuk e di saktësisht se cili është problemi i tij, me të vërtetë nuk e di”, u përgjigj Trump. “Nuk kam menduar shumë për të kohët e fundit, por fatura është shumë e mirë.”/Top Channel