Njohja reciproke apo paqja e ftoftë - Gazeta Express
string(35) "njohja-reciproke-apo-paqja-e-ftofte"

OP/ED

Gazeta Express

25/02/2023 14:09

Njohja reciproke apo paqja e ftoftë

OP/ED

Gazeta Express

25/02/2023 14:09

Shteti i Kosovës nuk është arritur vetëm përmes luftës, përpjekjes dhe vullnetit tonë. Është arritur edhe përmes një procesi të gjatë të dialogut që nga Rambuje, te marrëveshja tekniko-ushtarake e Kumanovës e deri te negociatat e Vjenës. Dialogu si proces ka qenë i pa shkëputur nga rrugëtimi i shtetit tonë. Prandaj, ky element i rëndësishëm në procesin e shtet formimit tonë duhet trajtuar me kujdes, prioritet dhe përgatitje maksimale politike e kadrovike. Injorimi apo neglizhenca ndaj këtij procesi të rëndësishëm por edhe të imponuar sjell pasoja të pa riparueshme për të ardhmen tonë politike si shtet.

Shkruan: Abdullah Klinaku

Lexo Edhe:

Procesi i dialogut është realizuar vazhdimisht nga ndërmjetësit ndërkombëtar kryesisht amerikan dhe evropian. Ndërmjetësit në njëfarë mase kanë qenë të ekuilibruar në procesin e dialogut duke ju referuar rrethanave të realitetit politik dhe gjeostrategjik. Natyrisht nëse i referohemi historisë sonë dhe pasojave të padrejta që i kemi vuajtur për shekuj shteti ynë do të duhej të ishte tani më i pavarur, sovran dhe i integruar në NATO. Megjithatë, e drejta historike dhe e drejta për vetëvendosje si parim universal nuk kanë mbizotëruar ndaj procesit të dialogut dhe kompromiseve në rrugëtimin tonë politik në kuadër të një mjedisi përplasjesh të interesave të shumta.

Në procesin e fundit të dialogut, pra, në këto dy vite janë rritur shqetësimet ndaj ndërmjetësuesve ndërkombëtar. Është rritur hezitimi me theks të posaçëm ndaj politikës amerikane në procesin e dialogut. Në këtë kontekst vlerësoj se është qasje plotësisht e gabuar. Politika amerikane, evropiane por edhe e shteteve të tjera mike, popullit të Kosovës ja kanë njohur të drejtën për të zgjedhur dhe për të vendosur që të jetojnë në një shtet të lirë e të pavarur. Por për formën dhe rregullimin e raporteve ndër etnike brenda shtetit tonë kanë qenë të kyçura vazhdimisht. Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe shtetet e Bashkësisë Evropiane krahas mbrojtjes së interesave tona në procesin e Rambujes, të Kumanovës apo Vjenës kanë qenë të ekuilibruara edhe ndaj Serbisë. Por që rruga të cilën na e kanë rekomanduar këto shtete në kuadër të synimit tonë krahas presionit të madh serbo-rus dhe lobeve të tjera kundër nesh, ka qenë rruga e cila të gjitha këto procese i ka nxjerrë në favor të shtetit dhe të ardhmes tonë kombëtare. Pra, udha e cila na ka shpie në shtetin tani më të njohur nga rreth 110 shtete dhe me mundësi të mëdha euro-atlantike krahas sfidave serioze që i kemi. Prandaj, e gjykoj për mungesë të maturisë kombëtare dhe politike çdo projekt politik i cili nxit dyshime, hezitime apo cenon raportet tonë me shtetet mike, me theks të posaçëm, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë së Madhe, Gjermaninë dhe Turqinë.

Paqja e ftoftë dhe e hidhur është titulli i një libri të ish-presidentit boshnjak Alija Izetbegoviq që i referohet periudhës së Bosnjës nga vitit 1996 deri në vitin 2003. Ky titull me gjasë në formën më të mirë e përshkruan edhe realitetin tonë me Serbinë për gjithë këto vite të pas luftës e me rrezik të vazhdojë edhe më tutje. Dialogu teknik e pastaj politik, pa kornizë të qartë e pa qëllime të njohura e të precizuara midis Kosovës dhe Serbisë, vendin tonë e ka futur në një rreth vicioz e në një vend numërim politik e diplomatik. Kosova tani më i mbush dy vjet që nga njohja e fundit ndërkombëtare. Ndërsa për këto tre vite nuk është anëtarësuar në asnjë organizatë ndërkombëtare serioze. Kriza e madhe ekonomike që e ka prekur vendin tonë dhe emigrimi i madh i rinisë janë përditshmëria jonë e dhimbshme. Humbja e shpresës, pesimizmi dhe debati shterp politik janë emëruesi i përbashkët psiko-social, ekonomik dhe politik në vendin tonë. Krahas kësaj, gjendja e sigurisë është tepër sfiduese dhe veriu i vendit tani më ndodhet në një anarki serioze ku qasja e institucioneve qendrore është shumë e kufizuar. Gjendja e rënduar në vendin tonë vazhdon të rëndohet çdo ditë e më shumë nëse procesi i dialogut me Serbinë nuk përfundon, me qëllim të hapjes së perspektives së re për shtetin tonë.

Qeveria e Kosovës e cila ka dal nga shumica e votës së qytetarëve, për bindjen time, ka qenë dashur ta vendos prioritetin numër një procesin e përmbylljes së dialogut me Serbinë, për dy arsye. E para, për shkak të pretendimeve për raporte të mira të Qeverisë së Kosovës me Administratën Biden, duke pasur parasysh thirrjen publike të z. Kurti drejtuar shqiptarëve që jetojnë në SHBA për të votuar kandidatin demokrat Biden si dhe për shkak të situatës globale të krijuar pas luftës së Federatës Ruse ndaj Ukrainës. Qeveria e Kosovës nëse do ta kishte lexuar drejt realitetin politik dhe do të kishte vepruar me përgjegjësi shtetërore e jo elektorale, besoj, se prioritetin numër një e kishte vendosur përmbylljen e negociatave me Serbi si mjet për të arritur qëllimin e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë.

Anëtarësimi në NATO, njohja reciproke, njohja nga pesë shtetet anëtare të BE-së, do të duhej të ishin tri kushtet dhe qëllimet kryesore të këtij procesi. Rrjedhimisht nëse arrihet pajtimi midis dy shteteve që janë në konflikt atëherë edhe anëtarësimi në OKB do të ishte proces i pashmangshëm.

Me gjasë ne tani më jemi para një procesi krejt tjetër dialogues, pra, nuk flitet për njohje de juro dhe nuk dihen përfitimet e qarta nga një marrëveshje eventuale.

Nga Asociacioni te vetëqeverisja lokale e komunave është dialogu formal që është zhvilluar nga kryeministri i Kosovës që nga publikimi i planit franko-gjerman. Pra, në parim Qeveria është pajtuar për një formë të re të organizimit të komunave me shumicë serbe. Në këtë rast duhet vlerësuar edhe kërkesa e shtetit amerikan përkitazi me këtë çështje e cila vazhdimisht bënë thirrje për formimin e këtij organizimi për komunitetin serb në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.Megjithatë diçka është e pakontestueshme senjë asociacion i cili ka kompetenca ekzekutive e minon funksionalitetin dhe krijon parakushtet për dështimin e shtetit tonë.

Qeveria e Kosovës duke vlerësuar gjendjen reale do të duhej para sa muajsh të kishte propozime konkrete për njohjen reciproke, anëtarësimin në NATO dhe draft-aktin normativ të organizimit të komunitetit serb në një projekt i cili ofron siguri, zhvillim ekonomik dhe organizim në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Ky plan i qartë do të duhej të përcillej me një aktivitet të fuqishëm politik e diplomatik në Uashington dhe Bruksel. Lobimi i Qeverisë së vendit tonë te këto dy qendra vendim marrëse do të duhej të organizohej nga kryeministria, ministria e jashtme, ambasadorët tonë në këto vende dhe diaspora e cila ka qasje në politik bërje, në veçanti diaspora shqiptare në SHBA.

Veç kësaj qeveria e Kosovës do të duhej të kishte krijuar raporte mirëbesimi me shtetet mike në çështjet e ndjeshme me çka do të mund të përfitonte nga rasti. Një rast i tillë ku përfitimet tona do të kishin qenë të theksuara ka qenë momenti kur Sekretari Blinken i ka kërkuar kryeministrit të vendit tonë, shtyrjen disa mujore të vendimit të Qeverisë për targa. Kjo kërkesë direkte e Sekretarit Blinken e refuzuar në fillim ndërsa e pranuar pastaj, nuk u materializua në përfitime shtesë për vendin tonë. Momentet e tilla kur ekzistojnë mundësitë e përmbajtjes nga një e drejtë e jotja legjitime për një  benifit më të madh për vendin duhet të shfrytëzohen. Si rezultat i kësaj ne nuk kemi asnjë vizitë zyrtare të anëtarëve të Qeverisë në SHBA për rreth 10 muaj.

Në mungesë të këtij rrjetëzimi të lobimit dhe krijimit të raporteve të mirëbesimit me shtete mike Kosova rrezikon që procesin final të dialogut me Serbi ta kthej në një format që tani më nuk premton njohje reciproke, përfundim të dialogut dhe zgjidhje politike të konfliktit të hapur me Serbinë. Takimi i datës 27 shkurt mund të shënoj datën solemne të pajtimit të dy vendeve për planin franko-gjerman dhe zotimin për zbatimin e tij. E gjithë kjo krijon kushtet për proces të ri të dialogut i cili nuk dihet se si dhe kur do të përfundoj. Një marrëveshje si kjo me ambiguitet do të krijonte një paqe të ftoftë politike dhe një justifikim elektoral të liderëve nënshkrues por jo edhe arritje të qëllimi kryesor.

Megjithatë edhe përkundër gabimeve shumë të mëdha që janë bërë gjatë këtyre viteve në procesin e dialogut pranimi i planit franko-gjerman në parim është mundësi e mirë për ta dëshmuar konstruktivitetin tonë si palë në procesin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Madje përfitimet e Kosovës nëse kemi plan e kujdes mund të jenë shumë pozitive për të ardhmen tonë. Në të kundërtën do të kemi një deja vu të negociatave të pa kuptimta mbi 10 vjeçare.

Vendit tonë i duhen politika institucionale e shtetërore, realiste e aktive, fisnike e etike, të qarta dhe të detajuara që forcojnë vetëdijen shtetërore. Interes shtetëror është pranimi i këtij plani me njohjen reciproke, anëtarësimi në NATO dhe organizimi shtesë për komunitetin serb në pajtim me Kushtetutën. Për këtë duhet të ketë konsensus politik, ndërsa gara elektorale mund të zhvillohet në shumë sektorë të tjerëtë brendshëm. Përndryshe Ballkanin e pret paqja e ftoftë e cila do të merr fund varësisht nga rezultati i luftës ruse në Ukrainë.