Republika Turke e Qipros Veriore, e cila njihet vetëm nga Turqia, “de facto” funksionon si shtet, me të gjitha institucionet. Madje, ka edhe pasaportë të veten. Megjithatë ndarja dhe urrejtje ndërmjet turqve dhe grekëve është e madhe. Aq e madhe sa edhe paqartësia për bashkimin e mundshëm të ishullit.
Imer Mushkolaj
Fluturimi nga Stambolli drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Ercanit zgjat pak më shumë se një orë. Udhëtimi mund të jetë i zakonshëm për udhëtarët, por jo edhe për autoritetet e Qipros. Ishulli-shtet, anëtar i Bashkimit Europian, e konsideron ilegal këtë aeroport, ndërkohë që nuk ka pushtet në një të tretën e territorit. Në këtë pjesë gjendet shteti me shkurtesën zyrtare KKTC – Kuzey Kıbrıs Türk Cumhuriyeti, ose në shqip Republika Turke e Qipros Veriore. Pavarësia e shtetit të vetëshpallur që në vitin 1983 është njohur vetëm nga Turqia por, përkundër kësaj, gjithçka aty funksionon si në një shtet të vërtetë. Ka president, qeveri, polici e institucione të tjera.
Qiproja është një shtet i ndarë. Të ndarë e ka edhe kryeqytetin, Nikozinë. Kufiri në formë postblloqesh është i vendosur mu në qendër. Kontrolli i pasaportave është i njëjtë si në kufij shtetërorë. Ndërkohë, një “vijë e gjelbër”, si tampon zonë, e kontrolluar nga OKB’ja përshkon vijën ndarëse ndërmjet KKTC’së dhe Qipros.
Jeta në republikën veriore turko-qipriote zhvillohet normalisht. Pjesa më e madhe e kryeqytetit, të cilin turqit e quajnë Lefkosha e grekët Nikozia, duket e lënë pas dore. Në gjithë KKTC’në, që përfshin 3354 kilometra katrorë, përdoret lira turke, ndonëse mund të paguhet edhe me euro. Ndërkohë, pjesa e vjetër e qytetit është e bukur, në të dyja anët, edhe pse në mes e ndan kufiri.
Polici në Aeroportin e Ercanit në hyrje nuk vendos vulë në pasaportë. Mund të shkaktojë telashe tek autoritetet shtetërore. Ndërkohë, qiprirotët grekë varin turinjtë kur marrin vesh se ke udhëtuar nëpërmjet këtij porti ajror. Për ta e ligjshme në Qipro është hyrja vetëm përmes aeroporteve Larnaca dhe Pafos, ose përmes porteve ujore.
* * *
Historia e Qipros është interesante. Interesante dhe e dhimbshme, njëkohësisht. Ishulli fitoi pavarësinë nga Britania e Madhe më 1960. Ishte koloni britanike. Një konflikt i gjatë ndërmjet qipriotëve grekë shunmicë dhe qipriotëve turq pakicë dhe invadimi ushtarak i trupave të ushtërisë turke në vitin 1974 prodhoi një situatë të re. Më 1975 në pjesën veriore të ishullit u krijua realitet i ri. Më 1983 turqit shpallën Republikën Turke të Qipros Veriore, që përfshin një të tretën e territorit dhe që njihet vetëm nga një shtet – Turqia. Që atëherë, shteti ka mbetur i ndarë.
Më 2004 Qipro u bë anëtare e Bashkimit Europian. Jo i gjithë ishulli, por vetëm pjesa greke. Kufiri i kontrolluar nga OKB’ja, që përshkon vendin mes për mes, u bë i fundmi kufi i BE’së.
Urrejtja ndëmjet grekëve e turqve atje është e fortë. E tillë është edhe ndarja. Vitin e kaluar sekretari i përgjithshëm i OKB’së, Antonio Guterres, i ftoi palët në një takim në Gjenevë, duke kërkuar që të vlerësojnë situatën dhe nëse ka një bazë për të gjetur një zgjidhje. Njësoj vite më parë veproi edhe Kofi Annan.
Ideja është që të krijohet një republikë federale me autonomi të gjerë për të dyja palët dhe një qeveri të përbashkët. Në referendum pala turke e miratoi këtë plan, por ajo greke e refuzoi, me arsyetimin e pranisë ushtarake turke. Plani i Annanit ishte që ta reduktonte këtë prani nga 40 mijë në 6000 ushtarë. Por, për grekët qipriotë kjo ishte e pamjaftueshme. Ata kërkojnë që trupat turke të tërhiqen plotësisht. Për tre vjet, nga 2014 deri më 2017, u zhvilluan bisedime pa rezultat. Qytetarët e të dyja pjesëve të ishullit presin zgjidhje. Ndërkohë, është një qytet – qytet fantazmë që shpërfaq më së miri gjithë absurditetin e situatës në ishull. Është ky Varosha, qytet i braktisur dhe i rrethuar që kur Turqia pushtoi veriun e vendit.
* * *
Të jesh në Qipro dhe të shohësh realitetin atje nuk mund të qëndrosh indiferent dhe të mos e krahasosh me situatën në veri të Kosovës. Ndonëse nuk mund të tërhiqen paralele direkte, shoqëritë e ndara dhe plot urrejtje ndërmjet vete të sjellin ndërmend pashmangshëm gjendjen në veri.
Rasti i Qipros tregon dhe pafuqinë e BE’së e cila, nën presionin e Greqisë, u detyrua ta bëjë pjesë të veten dy të tretat e ishullit. Fort ironike, se si BE që bashkon shtete, anëtarësoi një shtet gjysmak, duke bërë një dëm të madh.
Sot të dy komunitetet atje jetojnë në pasiguri, në një situatë kur nuk mund të kalojnë të lirë nga njëra në anën tjetër të qytetit. Vullneti politik për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme mungon, ndërkohë që pjesa turke është kthyer në oazë për emigrantë nga Azia e Afrika, e pjesa greke në mundësi punësimi po ashtu për të huaj.