“Një thua të tyre s’e kisha dhënë për këtë shtëpi që e kanë ndërtu”, rrëfimi i nënës nga Gjilani që iu mbytën dy djemtë në Durrës - Gazeta Express
string(130) "nje-thua-te-tyre-se-kisha-dhene-e-jo-per-kete-shtepi-qe-e-kane-ndertu-rrefimi-i-nenes-nga-gjilani-qe-iu-mbyten-dy-djemte-ne-durres"

“Një thua të tyre s’e kisha dhënë për këtë shtëpi që e kanë ndërtu”, rrëfimi i nënës nga Gjilani që iu mbytën dy djemtë në Durrës

Merita Miftari

25/11/2020 13:01

Malli dhe pikëllimi e kanë kapluar nënën nga Livoçi i Epërm i Gjilanit, të cilës iu mbytën dy djemtë në tërmetin e Durrësit, një vit më parë. Dhimbja është e madhe e po shtohet përditë. Luljeta Abazi rrëfen për Gazetën Express jetën e vështirë që po e bën pa dy djemtë e saj. 12 muaj pas ngjarjes së trishtë, ditët i përshkruan katastrofike e netët pa gjumë.

Data 26 nëntor 2019 nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa e popullit shqiptar. Atë ditë, qyteti i Durrësit me rrethinë u godit nga një tërmet i fuqishëm dhe brenda një kohe të shkurtër u rrënua shumëçka. Dhjetëra persona vdiqën, mijëra të tjerë u plagosën si dhe u rrënuan mijëra shtëpi e ndërtesa të banueshme.

Lexo Edhe:

Në mesin e viktimave të tërmetit të Durrësit u konfirmuan edhe dy kosovarë, Shemsedin e Isa Abazi nga Livoçi i Epërm i Gjilanit, të cilët humbën jetën tragjikisht në gërmadhat e hotelit “Tropikal” në Durrës.

Djemtë nga Gjilani kishin marrë rrugën për Shqipëri me qëllimin që të gjenin punë e ta ndihmonin financiarisht familjen, por disa orë më vonë tërmeti lëkundi fort hotelin ku po qëndronin, nga i cili më pas u nxorën pa shenja jete.

Ekipi i Gazetës Express ka qëndruar në shtëpinë e familjes Abazi, ku mes dhimbjes së madhe nëna e Shemsedinit dhe Isës rrëfen për momentet e fundit me djemtë e saj dhe jetën e rëndë pa prezencën e tyre.   

“Vështirë është shumë, 100 sëmundje i kam, mezi rri…”, thotë Luljeta Abazi për Gazetën Express.

Pas tërmetit njerëzit e vullnetit të mirë i ndihmuan familjes për ndërtimin e shtëpive, por Luljetën nuk e gëzon ky fakt, sepse ka shumë mall për Shemsiun e Isën.

“Me ma dhënë mallin e dynjasë, një thua të tyre s’e kisha dhënë e jo për këtë shtëpi që e kanë ndërtu. Për të ritë mirë që e kanë ndërtu, se fëmija duhet me pas ku me jetu. Për mua dhe për burrin tim jo. Unë veç kancerin që s’e kam, me shtypje, me zemër, me krejt jam e sëmurë… Por sa është njeri gjallë mundohet”, shprehet ajo.

Shtëpia e prindërve të djemve që u mbytën në tërmetin e Durrësit

Momenti i fundit me djemtë dhe arsyeja që ata morën rrugën për Shqipëri, në nëntor të vitit 2019

Luljeta thotë se me djalin e saj Isën u dëgjua më 25 nëntor (sot një vit), për ta njoftuar se dajat e saj në Suedi e kishin telefonuar për të biseduar rreth një vize, pasi ai e kishte kërkuar nga ta për të punuar në shtetin skandinav.

“Kur kam folë për herë të fundit, Isa më ka thënë me lyp një vizë, se unë dajtë i kam në Suedi, me shku me punu, me u mundu me do pjesë, me do kerre. Me ja çu vizën… E thirra Isën, u lajmëru Shemi, e mora Isën i thashë që dajtë po thirrin për vizë, po i thashë jepja t’i të dhënat e tua. Ma shumë s’kam pasë kontakt me ta. Kujt i ka shku mendja që mbytet”, shprehet ajo.

Luljeta thekson se djemtë i shkuan në Shqipëri për të punuar, por ditën e parë që mbërritën tërmeti e goditi Durrësin.

“Djali i madh ka punu me katalizatorë që 12 vjet, ashtu na ka mbajtë neve. Edhe shtëpinë e vet e ka ndreq, po vetëm katin e parë. Edhe djali i dytë ja ka nis me ata katalizatora. Ai ka punu atje në Shqipëri, po djali i dytë s’ka punu, ai nganjëherë ka punu… Djali i madh e thirri Isën (djalin e dytë) me punu bashkë. Të parën herë që kanë shku, e hënë ka qenë ajo ditë, mëngjes, ata të martën janë mbytë 4 minuta para orës katër të mëngjesit”, rrëfen ajo.

“Djali i madh Shemi, ka shku e ka ardhë në Shqipëri. N’jetë tem s’më ka shku mendja që bën aksident. Se po mbytet e po e zënë pesë plloça, kujna i ka shku mendja… Mendja s’më ka shku kurrë”, thotë nëna nga Gjilani.

Momenti kur familja u njoftua se Durrësi u godit nga tërmeti

“Atë ditë unë me burrin shkuam me mbledhë shishe, aty erdhi edhe një djalë i hallës tem, nuk piu as kafe. Erdhën edhe djemtë e kunetëve, erdhi edhe djali im i vogli. Djali i kunatit e thirri burrin tim, me i tregu që u dridh toka. Ai i kishte tregu që u dridh toka e s’u dike çka u bë… Reja ime më tha që Isën e ka telefonu që tri orë, po s’është lajmëru… Tani prej rejës e mora vesh që u dridh toka e u rrëzu hoteli. Menjëherë më kan çu në spital, me ditë të tëra s’e kam ditë ku jam”, rrëfehet Luljeta.

Shemsedini ka lënë pas vetes gruan dhe katër fëmijë nga mosha 4-vjeçare deri në moshën 13-vjeçare, ndërsa Isa ka lënë pas gruan dhe dy fëmijë.

Luljeta thotë se as gratë e djemve nuk e kanë marrë veten akoma.

“15 vjet s’e kam pi duhanin, e ndeza prej mërzisë”

Nëna e djemve të mbytur në Durrës, ditët i përshkruan si katastrofike e netët të gjata e pa gjumë.

“Dita jeme është katastrofë. Nuk mundem me flejtë natën, çohna me falë sabahun dhe më kurrë nuk flej… Ma kanë mbytë djalin qe 15 vjet dhe s’më ka kalu dhimbja, e s’më ka kalu as për dy djemtë që më janë mbyt që një vit”, shprehet Luljeta për Gazetën Express.

Teksa flet për ndihmën financiare nga qytetarët, Luljeta thotë se kryeministri shqiptar Edi Rama nuk ua ka dhënë akoma 16 mijë eurot e premtuara.

“Shteti jonë na ka ndihmu, por Edi Rama i premtoi ato 16 mijë euro për gratë, por asgjë s’ju ka dhënë, e jo fëmijët me i shkollu deri në master qysh ka thanë. 16 mijë euro janë folë me jau dhënë grave, asnjë cent nuk jau ka dhënë. Për ndërtimin e shtëpive na kanë ndihmuar njerëzit, Zoti i shpërbleftë. Populli na ka ndihmu”, tha ajo.

Shtëpia e Shemsedinit

Shtëpia e Isës

Bilanci përfundimtar i dëmeve të tërmetit

Tërmeti me magnitudë 6.4, epiqendra e të cilit ishte 16 kilometra në jugperëndim të Mamurrasit, la të vdekur 51 persona, mbi 3 mijë tё plagosur, shumë objekte të dëmtuara që kapin vlerën e dëmeve 985 milionë euro.

Sipas informacioneve zyrtare në mesin e 51 personave që humbën jetën, ishin edhe 10 fëmijë të moshave 2-10 vjeç.  

Për nga shkalla e magnitudës ky ishte tërmeti më i madh që ka goditur Shqipërinë në më shumë se dyzet vjet. Dëmet u shënuan kryesisht në qytetin e Durrësit dhe në fshatin e Kodër-Thumanës.

Disa pamje nga tërmeti.

/Gazeta Express/