Një PLAN i mbijetesës - Gazeta Express
string(21) "nje-plan-i-mbijeteses"

Një PLAN i mbijetesës

Gazeta Express

09/10/2020 14:44

Koalicionit LAN duket se do t’i bashkohet edhe PDK’ja. Në këtë mënyrë, të gjithë po bëhen bashkë në pushtet, për t’i zvarritur sa më shumë zgjedhjet e reja. Por, koalicioni i ri PLAN më tepër se çfarëdo tjetër do të jetë koalicion i mbijetesës. I mbijetesës në pushtet, përballë Vetëvendosjes që bënë çmos ta shmangin. Asgjë e re – PLAN i sojit të njëjtë.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Po ravijëzohet dalëngadalë përbërja e një koalicioni të ri qeverisës, me përfshirjen brenda tij edhe të Partisë Demokratike të Kosovës. Sinjale se kjo mund të ndodh shpejt janë dhënë ditët e fundit. I pari ka të bëjë me rikrijimin e Ministrisë së Integrimit Europian, kurse i dyti me kthimin e Vlora Çitakut nga SHBA-të në Kosovë.

Pak ditë pasi u mbush një vit nga mbajtja e zgjedhjeve të 6 tetorit, kur Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë, koalicionit LDK-AAK- Nisma, pra LAN’it pritet t’i shtohet edhe PDK, pra P, duke e shndërruar akronimin në PLAN. Një plan mirë i menduar qysh para një viti, një plan që më shumë se gjithçka tjetër ka qëllim mbijetesën. Mbijetesën në pushtet.

Kur me votën e qytetarëve vitin e kaluar besimi iu dha VV’së dhe LDK’së, që kishte premtuar se do të bënte koalicion me VV’në, partitë e ish-koalicionit PAN mbetën në opozitë. Në këtë mënyrë, qytetarët i ndëshkuan për mënyrën e qeverisjes, sidomos PDK’në që nuk zbriti nga pushteti që nga viti 2007.

Por, qysh atëherë ishte e qartë se disa zyrtarëve të rëndësishëm të LDK’së “nuk iu binte tamam” koalicioni me VV’në. Mjafton të sillet ndërmend fjala e Agim Veliut në një mbledhje lokale të partisë, teksa haptazi paralajmëronte se koalicioni nuk do të zgjaste shumë. Ashtu edhe ndodhi, Qeveria Kurti u rrëzua në mesin e krizës me pandeminë dhe u krijua, me çykën e zorit, një qeveri e re, me mezi 61 vota në Kuvend dhe me kryeministër Avdullah Hotin.

Më tepër se “qeveri e shpëtimit” të Kosovës nga prishja e marrëdhënieve me SHBA’të, koalicioni kishte tjetër qëllim. Në fakt, qëlllimi kryesor ishte largimi i Albin Kurtit nga pushteti, me çdo kusht dhe në çdo mënyrë.

Ishte e qartë se koalicioni LAN nuk mund të funksionojë, sepse ishte i brishtë, i pafuqishëm, i paaftë për të çuar përpara çështje të rëndësishme për qytetarët. Ishte e qartë se, herëdokur, ky koalicion ose do të zgjerohej me PDK’në, ose do të duhej shpartalluar për të shkuar në zgjedhje të reja. Por, që të dyja këto vareshin dhe varen nga PDK.

* * *

Kur Kadri Veseli menjëherë pas debaklit në zgjedhjet e 6 tetorit paralajmëroi se do të mbetej në opozitë, sikur u krijua përshtypja se ai do ta mbante fjalën. Por, duket se nuk do të ndodh kështu. Të paktën ditët e fundit, shenjat janë të qarta se PDK po shkon drejt përfshirjes në qeveri, më shumë sesa mbështetjes së mocionit të inicuar nga VV për ta rrëzuar të njëjtën qeveri.

 Në vendimin e PDK’së, natyrisht, ndikim të madh ka situata e krijuar me liderin e partisë, por edhe me ish-liderin nga Gjykata Speciale. Por, përtej kësaj, është po ashtu e njohur tashmë se PDK funksionon mirë në qeveri me këto parti. Në fakt, që të gjitha këto parti funksionojnë më së miri ndërmjet vete. Dhe, që të gjitha i bën bashkë dhe i karakterizon mbijetesa.

LDK’së i duhet të mbijetojë pas situatës së krijuar me Vjosa Osmanin dhe thyerjes kushedi për të satën herë të premtimit që ua ka dhënë votuesve “kurrë më me PDK’në”. PDK’së i duhet të mbijetojë tronditjen që mund ta shkaktojë konfirmimi i aktakuzës nga Gjykata Speciale kundër kryetarit dhe ish-kryetarit të partisë. Për Nismën Socialdemokrate s’ka çfarë diskutohet – që nga krijimi lufton për mbijetesë dhe noton herë në një krah, herë në tjetrin. AAK’së po ashtu i duhet pushteti, në mënyrë që të mirëmbajë veten dhe të vetët. Pra, koalicioni PLAN do të jetë një grumbullim partish që kanë nevojë për njëra-tjetrën, në një situatë aspak të lehtë.

Po të ishte ndryshe dhe po të ekzistonte morali dhe përgjegjësia në politikë, Avdullah Hoti do të duhej të jepte dorëheqje. Gjashtë herë i dështoi t’i votohet në Kuvend ligji për rimëkëmbjen ekonomike, por ai po sillet thua se gjithçka është në rregull. Thua se mijëra qytetarë e biznese, në zgrip të ekzistencës, nuk po e presin me padurim ndihmën e premtuar, thua se i ka krejt punët në rregull dhe është komod në qeverisje.

Po të ishin parti të përgjegjshme karshi qytetarëve, atëherë asnjëra nga to nuk do t’iu frikësohej zgjedhjeve të reja. Por, ndërmjet përgjegjshmërisë dhe frikës nga humbja, zgjedhin të shpëtojnë nga kjo e dyta. Të paktën përkohësisht.

* * * Se si qeverisin partitë e PLAN’it, tashmë e di secili. Zor se kësaj radhe kanë një plan më të mirë, përveç akomodimit të interesave partiake dhe premtimeve boshe.