Regjisori kosovar Jasmin Rexhepi, i cili jeton dhe vepron në Islandë, ka ndarë së fundmi një këngë dhe video interesante në rrjetet sociale, të titulluar “Lady in Red at the Charshia” (Zoja në të Kuqe te Çarshia).
Në postimin e tij, Rexhepi ka theksuar se ky projekt ka qenë një testim i teknologjisë moderne, duke lënë të kuptohet se videoja është realizuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, apo të paktën me përdorimin e mjeteve bashkëkohore digjitale.
Klipi shquhet për një cilësi shumë të lartë vizuale dhe transmeton një energji pozitive e nostalgjike. Ai ngjan më shumë me një film evropian artistik sesa me një videoklip muzikor klasik, duke reflektuar qartë stilin regjisorial të Rexhepit.

Kënga interpretohet nga Smoky Balkan Jazz, një kolektiv muzikor i përbërë nga muzikantë të ndryshëm, të cilët kombinojnë instrumentet organike me teknologjinë moderne.
Kjo këngë është nga albumi Soul Serenades, apo Serenata Shpirti, ku u kendohet qytetve historike të Ballkanit.
Ky projekt muzikor ka publikuar gjashtë albume gjatë këtij viti në platformat kryesore muzikore. Zhanret e tyre variojnë nga jazz, groove dhe muzikë elektronike, por të gjitha albumet mbartin ndikime të theksuara ballkanike.


Duhet kujtuar se regjisori Jasmin Rexhepi është regjisori i paré shqiptar që ka marrë pjesë me filma të shkurtër në Festivalin e Filmit në Cannes.
Prej vitesh, ai është i angazhuar në industrinë filmike islandeze dhe ndërkombëtare, duke qenë pjesë e projekteve të mëdha botërore si True Detective, King & Conqueror, si dhe shumë prodhime të tjera të rëndësishme.
Cilësia e këtij videoklipi muzikor dhe mënyra e veçantë e tregimit dëshmojnë edhe një herë se suksesi i Rexhepit nuk është rastësi, por rezultat i një talenti të ndërtuar me përvojë, përkushtim dhe vizion artistik. /GazetaExpress/