Një haxhi nga “Allahu” për avdullahun - Gazeta Express

Ballina

Ermal Mulosmani

04/06/2020 12:01

Një haxhi nga “Allahu” për avdullahun

Ballina

Ermal Mulosmani

04/06/2020 12:01

Avdullah Hoti dje fitoi votëbesimin më drithërues në historinë e votimeve parlamentare të Kosovës. Situata paraprake ishte e brishtë, LDK kishte diku në mes të 24-25 vota të sigurta, AAK kishte të pasigurtë votën e Donika Bujupit ndërsa nga Nisma Haxhi Shala vetëm dy ditë më parë kishte deklaruar votën kundër. Pra, të sigurta ishin minimumi 60 deputetë e maksimumi 62.

Kohë mjaft e përshtatshme për të rritur kulisat dhe “pazarin” e votës. Asgjë e mirë për popullin nuk vjen nga situata të tilla.

Tensioni ishte i pranishëm qysh në momentet e para. Deputetët e Nisma-s erdhën të ndarë, në grupin që printe Fatmir Limaj mungonte deputeti Haxhi Shala. Nga AAK, në seancë, mungonte Donika Kadaj- Bujupi, nga minoritetet mungonin 2 deputetë. Nga LDK-ja ishte e sigurtë vota kundër e Vjosa Osmanit dhe Haxhi Avdylit.

Në këtë moment të seancës filluan drithërimat. Qeveria ishte në mes 60 dhe 61 votash, në kufirin mes besimit dhe dështimit. Për t’i shtuar më tej dramën, Haxhi Shala, deputeti që e kishte në dorë fatin e kësaj qeverie, deklaron me cinizëm:

 “Nuk jam i sigurtë për votën, do dëgjoj programin dhe do vendos”.

Fjalime të tendosura, të zymta, të ftohta, pa frymë. Një program i shkurtër nga Kryeministri i mandatuar bashkë me një fjalë paqtuese nga Kryetari i Grupit Parlamentar i LDK-së reflektonin pikërisht  dramën që po luhej. Askush nuk e kishte mendjen se çfarë thuhej, sytë e Isa Mustafës (nga televizori), Ramushit dhe Fatmirit ishin në kërkim të ndonjë të dyshimti.

Në emër të Grupit Parlamentar të Nisma-s e merr fjalën deputeti Haxhi Shala. Kishte 10 minuta në dispozicion por ai mori vetëm një. Asgjë nuk pipëtin, po fliste noteri i kësaj Qeverie…

Unë para dy dite kam deklarue që nuk do ta votoj Qeverinë Hoti për shkak të monopolizimit të Partisë Nisma nga dy persona. Mirëpo pas vizitës së mbrëmshme që kam pasur në familjen time nga Presidenti dhe ish Kryeministri Haradinaj kam ndërruar mendjen dhe vota ime do jetë për këta dy persona, pro Qeverisë Hoti”.

Një britmë e heshtur lehtësimi “shpërtheu” në gjithë të pranishmit në sallë, edhe te ata që do votonin kundra kësaj Qeverie. Askush nuk do vinte në provë deputetët e PDK-së, ata do të ruanin reputacionin si kundërshtarë të kësaj Qeverie!

Pjesa tjetër është e parëndësishme. Qeveria mori 60 vota +votën presidenciale të Haxhiut. Ajo që mbeti në mendje ishte fjalia e fundit e Haxhi Shalës:

Vota ime do të jetë për këta dy persona, pro Qeverisë Hoti.

Këtu ka disa pikëpyetje të mëdha…

E para, pse Presidenti Thaçi, ishte i interesuar për një Qeveri nga kundërshtarët e tij politikë?

Këtu përgjigja është më e thjeshta. Ai ka nevojë për një Qeveri të dobët, të varur në fijet e tërhequra prej tij, për t’u kthyer edhe njëherë kohëve të para Tetorit 2019-ës ku askush nuk i bënte hije në tokën e Kosovës. Ai përjetoi gjatë këtyre 4 muajve ditë të vështira. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nuk ishin si Isa Mustafa, Ramushi apo Fatmiri. Për fat të keq ata kishin vota, integritet dhe nuk e përfillnin Thaçin. Eleminimi i pushtetit të tyre në politikë ishte një objektiv i natyrshëm për Thaçin. Por, në ëndërrat e tij më të mira, fanepsja e tij si vota përcaktuese e zhdukjes së pushtetit të Albin Kurtit, ka qenë përmbushja më ideale.

Bash këtu e shoh arsyen e fjalisë së Haxhi Shalës :

Vota ime do të jetë për këta dy persona, pro Qeverisë Hoti”.

Haxhiut siç duket i është kërkuar jo vetëm të votojë Qeverinë por, sidomos, ta theksojë që këtë votim e bën për hir të Hashim Thaçit. Deputeti mundet të nxirrte njëmijë arsye, mundet të përmendte vetëm Ramushin si arsye votimi. Por jo. Ai përmendi edhe Thaçin, përmendi vizitën në familjen e tij dhe kërkesën për të votuar Qeverinë. Për më tej shtoi që:

vota ime do të jetë për këta dy persona”.

Pra për Hashimin dhe Ramushin jo për Dullën dhe Isën apo Fatmirin. Me këtë fjalë Hashim Thaçi u kthye edhe njëherë triumfator, mbret i kulisave të skenës politike kosovare. Duhej ta bënte publike për të fyer Albin Kurtin dhe për të poshtëruar Isa Mustafën dhe gjithë LDK-në.  LDK-ja duhej  të ekspozohej para gjithë Kosovës si  e varur nga vota e Thaçit.

Pas fjalimit të Haxhi Shalës mbetej pak kohë për të vendosur. Të gjithë deputetët votues të LDK-së, e dëgjuan arsyen se pse Haxhi Shala po e votonte Qeverinë e kryesuar prej tyre. Ishte një dhuratë nga Hashim Thaçi. U duhej të merrnin një vendim të shpejtë. Pati vetëm një abstenim(abstenimi në raste të tilla është votë kundër) dhe Qeveria u votua…

LDK-ja dje me siguri ka festuar. Vjosa Osmani nuk ka qenë pjesë e asaj feste. Ajo ishte kundër kësaj Qeverie pasi e dinte mirë që do bëhej për interesa të Hashim Thaçit. Interesi i PDK-së ishte flijuar para interesit të Presidentit. Mirëpo, sa kohë që Thaçi nuk ishte shprehur për ose kundër kësaj Qeverie, Isa Mustafa dhe lidershipi i LDK-së mundet të akuzonin Osmanin për paranojë ndaj Thaçit. Po pasi e dëgjuan Haxhi Shalën t’i përmendte Presidentin?

Një veprim dinjitoz do të kishte qenë tërheqja në moment të fundit. Çdo deputet i LDK-së, që do votonte dje kundër Qeverisë Thaçi-Hoti do të bënte që Hashim Thaçit t’i ngrinte buzëqeshja, të gjitha planet dhe poshtërimet publike të tij do të binin poshtë. Mundej ta justifikonte votën e tij nga diskutimi i deputetit Haxhi Shala. Të thoshte që unë nuk votoj për interesat e Presidentit. Mundej ta bënte Kryetari i Grupit Parlamentar që, pas pak orësh i kërkonte dorëheqje të njëjtit President. Por jo, asgjë e tillë nuk ndodhi. Deputetët e shpëtuan nderin e Thaçit dhe e gëlltitën fyerjen publike që u bëri duke ua përmendur që Ai po i mandaton. Përmes Haxhiut.