Më 3 maj 2026 shënohet një moment historik për futbollin kosovar: 10-vjetori i pranimit të Kosovës në UEFA.
Një dekadë më parë, më 3 maj 2016, në Kongresin e mbajtur në Budapest, u mor vendimi që ndryshoi përgjithmonë rrugën e sportit më të ndjekur në vend.
Në atë ditë historike, anëtarësimi i Federata e Futbollit e Kosovës u miratua me 28 vota pro dhe 24 kundër, një rezultat i ngushtë që reflektonte debatet e forta politike dhe sportive që e shoqëruan procesin.
Megjithatë, ky votim i hapi derën Kosovës për të marrë pjesë zyrtarisht në garat evropiane për klube dhe kombëtare.
Vetëm pak ditë më vonë, Kosova u pranua edhe në FIFA, duke vulosur përfundimisht statusin ndërkombëtar të futbollit kosovar.
Gjatë këtyre 10 viteve, kombëtarja e Kosovës ka shënuar progres të dukshëm.
Një nga momentet më të mëdha erdhi gjatë kualifikimeve për EURO 2020, kur Kosova ishte shumë pranë kualifikimit historik, duke arritur në fazën “play-off” të Ligës së Kombeve dhe duke tërhequr vëmendjen e gjithë Evropës me lojën e saj dinamike.
Një tjetër arritje historike Kosova e arriti kur shkoi deri në finalen e “play-offit” të Botërorit 2026, duke u mposhtur vetëm nga Turqia me rezultat minimal.
Në nivel klubesh, skuadrat kosovare kanë fituar përvojë të rëndësishme në garat evropiane si Liga e Kampioneve dhe Liga e Konferencës, duke përfaqësuar vendin dhe duke ngritur gradualisht nivelin e konkurrencës.
Ballkani u kualifikua dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, teksa Drita një herë në fazën e ligës të Ligës së Konferencës (formati i ri), madje duke shkuar në fazën e nokautit, në “play-off”. Aty eliminohej nga Celje e Sllovenisë.
Po ashtu, zhvillimi i infrastrukturës, rritja e talenteve vendore dhe përfshirja e lojtarëve nga diaspora kanë ndikuar ndjeshëm në forcimin e futbollit kosovar.
Emra të rinj vazhdojnë të dalin në skenë, ndërsa interesimi për futbollin mbetet i lartë në çdo cep të vendit.
10 vite pas pranimit në UEFA, Kosova vazhdon rrugëtimin e saj me ambicie të mëdha: kualifikimin në një turne madhor dhe forcimin e pozitës në futbollin evropian.
Ky përvjetor nuk është vetëm një rikujtim i një fitoreje diplomatike, por edhe një dëshmi e përparimit të vazhdueshëm në fushën e lojës./GazetaExpress/