Sulmuesi i Milan, Niclas Fullkrug, ka përjetuar një fillim të vështirë pas transferimit të tij nga West Ham United, pasi i janë vjedhur bizhuteri luksoze me vlerë rreth 500,000 euro.
Fullkrug erdhi në Milan me formë huazimi dhe me opsion blerjeje në fund të sezonit, ndërsa tashmë ka debutuar në Serie A. Sulmuesi gjerman po qëndronte në një hotel pas transferimit, por kjo nuk e mbrojti nga hajdutët që shpesh synojnë futbollistët profesionistë.
Sipas raportimeve të gazetës Repubblica, Fullkrug doli për stërvitje të mërkurën e mëngjesit dhe kur u kthye, kasaforta e dhomës ishte hapur me forcë. Objektet e vjedhura përfshinin katër orë luksoze, me vlerë totale rreth 500,000 euro.
Sulmuesi po bashkëpunon me autoritetet për identifikimin e mundshëm të autorëve, ndërsa dhoma e tij u inspektua për prova. Fullkrug është i fundit në një seri futbollistësh profesionistë që janë shënjestruar për vjedhje nëpër Europë në vitet e fundit. /GazetaExpress