Kur në menu shfaqen emra si tartari i dinosauri dhe gjalpi i algave, bëhet e qartë që ky restorant nuk funksionon si të tjerët.
Por pas këtyre pjatave të çuditshme nuk qëndron një kuzhinier ekscentrik, por kuzhinieri i parë në botë me inteligjencë artificiale.
Në restorantin WooHoo në Dubai, menuja e veçantë është krijuar nga një program kompjuterik i quajtur Chef Aiman.
Por a do kishe guxim t’i provoje pjatat e tij?
Edhe pse Chef Aiman nuk gatuan fizikisht në kuzhinë, restoranti thotë se çdo pjatë është produkt i planifikimit dhe zhvillimit të recetave me inteligjencë artificiale.

Ndër më të çuditshmet është padyshim “tartari i dinosauri”, i cili sipas restorantit “rikrijon shijen e zvarranikëve të zhdukur”.
Pjata shërbehet mbi një pjatë që duket sikur “pulson” dhe “fryn”, duke i shtuar një element teatror asaj që pret në tavolinë.
Edhe pse restoranti nuk e zbulon përbërjen e plotë, konfirmon se receta përfshin mish roshe.
Menuja përfshin edhe kombinime të tjera të pazakonta, si gjalp algash, i shoqëruar me mish Wagyu të gatuar në enë japoneze prej balte.
Edhe pse tingëllon e çuditshme, algat janë shumë të pasura me MSG natyral, substanca që i jep ushqimit shijen “umami” dhe e përforcon shijen e përgjithshme.
Megjithatë, edhe aventurierët kulinarë mund të stepen përballë një pjate tjetër të menuse: “pulë e vogël e pjekur në dru kedri” – që në fakt nënkupton një zog shumë të ri, të njohur si poussin, i therur zakonisht rreth 28 ditësh.
Pavarësisht mungesës së “shijes” njerëzore, pronarët e restorantit këmbëngulin se pjatat e Chef Aiman janë krijuar të jenë të shijshme.
Sipas tyre, AI është trajnuar mbi mijëra receta, dekada kërkime gastronomike dhe teknika të gastronomisë molekulare.
Më pas algoritmi përdor të dhëna mbi kombinimet e shijeve, kimisë së ushqimit dhe preferencave të klientëve për të krijuar receta të reja.
Bashkëthemeluesi Ahmet Oytun Cakir madje thotë se Chef Aiman një ditë “mund të bëhet Gordon Ramsay i inteligjencës artificiale”.
Megjithatë, gatimi final dhe prezantimi mbeten ende në duart e shefit njerëzor Serhat Karanfil, i cili pranon se jo gjithmonë pajtohet me recetat e AI-së.
“Nëse e provoj dhe më del shumë djegëse, flas me Chef Aiman sërish. Diskutojmë derisa ta gjejmë balancën e duhur,” – thotë ai.
Por jo të gjithë janë të bindur për të ardhmen e AI në kuzhinë.


Shefi i yllëzuar Michelin, Mohamad Orfali, i tha AFP-së: “Nuk ekziston një kuzhinier AI. Nuk e besoj këtë.”
Ai shtoi se gatimi kërkon nafas – një term arab që nënkupton shpirtin, prekjen personale dhe kreativitetin e kuzhinierit.
“AI nuk ka ndjenja, kujtime, pra as nafas. Nuk mund ta japë atë përmes ushqimit.”
Sipas të dhënave, kuzhinierët nuk rrezikojnë të zëvendësohen shpejt nga robotët.
Një studim i Universitetit të Oksfordit i renditi kuzhinierët mes profesioneve më pak të prekura nga automatizimi – të 213-tët nga 366 profesione.
Një tjetër studim nga Microsoft tregoi se kuzhinierët kanë një nivel shumë të ulët kompatibiliteti me AI, pra inteligjenca artificiale nuk mund t’i zëvendësojë apo ndihmojë në mënyrë të ndjeshme në punën e tyre.
Sipas studimit, gatuesit janë po aq pak të rrezikuar sa policët, punonjësit e shtëpive funerale dhe profesionistët e shëndetësisë. /GazetaExpress/
Në Reisebüro Prishtina, ne jemi këtu për t’ju bërë çdo udhëtim të thjeshtë, të sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe...