Neymari mund ta ketë luajtur ndeshjen e fundit të karrierës, mund të pensionohet nga futbolli - Gazeta Express
string(92) "neymari-mund-ta-kete-luajtur-ndeshjen-e-fundit-te-karrieres-mund-te-pensionohet-nga-futbolli"

Futboll

Gazeta Express

09/07/2026 17:41

Neymari mund ta ketë luajtur ndeshjen e fundit të karrierës, mund të pensionohet nga futbolli

Futboll

Gazeta Express

09/07/2026 17:41

Neymari mund ta ketë zhvilluar tashmë ndeshjen e fundit të karrierës së tij, pasi një raport i fundit pretendon se pensionimi nga futbolli është një nga opsionet që ai po shqyrton.

Pas shumë diskutimeve në Brazil, ish-ylli i Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit u përfshi nga Carlo Ancelotti në listën prej 26 futbollistëve për Kupën e Botës.

Neymar shkoi në turne i dëmtuar dhe luajti vetëm 40 minuta, duke shënuar një gol nga penalltia në humbjen 2-1 ndaj Norvegjisë në 1/8 e finales, të dielën në New Jersey.

Pas eliminimit, 34-vjeçari la të kuptohej se i kishte dhënë fund karrierës me Kombëtaren e Brazilit, kur deklaroi: “Gjithçka nisi këtu, në ‘MetLife Stadium’, dhe këtu përfundoi. Tani ka marrë fund”.

Megjithatë, sipas një raporti të “UOL”, Neymari mund të tërhiqet plotësisht edhe nga futbolli pas këtij zhgënjimi.

Në artikullin e përgatitur nga tre gazetarë thuhet se Neymari “do të rikthehet në Brazil me të ardhmen e tij të hapur dhe njerëzit pranë tij nuk e përjashtojnë mundësinë që ai të vendosë t’i japë fund karrierës”.

Pas eliminimit nga Kupa e Botës, Neymari po pushon me familjen e tij në Florida, përpara se të marrë një vendim shumë të rëndësishëm për të ardhmen.

Aktualisht ai është pjesë e Santosit, ku u rikthye për një mandat të dytë, ndërsa kontrata e tij skadon në muajin dhjetor.

Megjithëse rikthimi te Santosi konsiderohet skenari më i mundshëm, raporti thekson se kjo nuk është ende një siguri dhe se Neymar do ta marrë vendimin “me ritmin e tij”, gjatë ditëve në vijim.

Që prej debutimit të tij në vitin 2009, Neymari thuhet se është lodhur nga presioni i vazhdueshëm dhe beson se nuk ka marrë vlerësimin që meriton nga mediat braziliane, gjë për të cilën është ankuar edhe te miqtë e tij.

Ai kishte shpresuar që Kupa e Botës t’ia rikthente dashurinë për futbollin, por mbeti “thellësisht i zhgënjyer” pas një tjetër eliminimi në këtë turne.

Santosi pret rikthimin e tij, por ende nuk ka pasur asnjë kontakt lidhur me datën kur ai do t’i bashkohet skuadrës.

Raporti përmend tre skenarë të mundshëm për të ardhmen e tij: rikthimin normal te Santosi, transferimin në një klub të ri në një kampionat me më pak presion, ose pensionimin nga futbolli.

Dikur një nga futbollistët më të mirë në botë dhe kandidat për “Topin e Artë”, karriera e Neymarit ka pësuar rënie të ndjeshme vitet e fundit.

Ai mbetet ende futbollisti më i shtrenjtë në historinë e futbollit, falë transferimit prej 198 milionë funtesh nga Barcelona te Paris Saint-Germain në vitin 2017.

Megjithatë, vlera e tij ra ndjeshëm pas kalimit te Al Hilal në Arabinë Saudite për 77.6 milionë funte, ku për shkak të dëmtimeve zhvilloi vetëm shtatë ndeshje.

Vendimi i radhës pritet të jetë vendimtar për Neymarin, por babai i tij i ka kërkuar publikisht që të mos tërhiqet ende nga futbolli.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Neymar da Silva Santos shkroi: “Pikërisht sepse besoj në ty, dua të të bëj një kërkesë si baba. Bir, vazhdo të luash futboll. Gjeje sërish kënaqësinë që të jep topi në këmbë. Gjeje sërish buzëqeshjen në fushë. Sot je i shëndetshëm. Zoti të ka dhënë edhe një herë mundësinë për të bërë atë që ke dashur gjithmonë. Shijoje futbollin.”

Neymari mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares së Brazilit, me 80 gola në 130 paraqitje./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement