Një klauzolë është përfshirë në kontratën e Anthony Gordonit me Barcelonën, e cila do të bënte që Newcastle të përfitonte miliona nëse reprezentuesi anglez luan në 60 për qind të ndeshjeve gjatë një sezoni.
Gordoni do të prezantohet si lojtar i Barcelonës të premten pasdite, pasi klubi katalanas arriti marrëveshje me Newcastle për një shumë prej 70 milionë funtesh për reprezentuesin anglez.
25-vjeçari, i cili ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Barçën, ishte gjithashtu në radarët e Bayern Munichut pas një sezoni mbresëlënës, ku e përfundoi kampionatin si golashënuesi më i mirë i Newcastle me 18 gola.
Por klubi spanjoll arriti ta mbyllte marrëveshjen këtë javë, me drejtorin sportiv të Newcastle, Ross Wilson, që luajti rol kyç në negociata.
Në fakt, Wilson arriti të fusë një klauzolë të zgjuar në marrëveshje, e cila mund të bëjë që klubi i Premierligës të fitojë deri në 1 milion euro për sezon nëse Gordon luan në 60 për qind të ndeshjeve, sipas “Chronicle”.
Bazuar në kohëzgjatjen e kontratës së raportuar të Gordonit prej 300 mijë funtesh në javë, Newcastle mund të përfitojë 5 milionë euro nga kjo marrëveshje.
Raporti gjithashtu sugjeron se edhe 5 milionë euro të tjera do t’i paguhen “Magpies” nëse ai fiton trofe me Barcelonën, e cila së fundmi mbrojti titullin e La Ligas.
Shumëkush u befasua kur doli lajmi se Barcelona po paguante 70 milionë funte për Gordonin, përfshirë edhe ish-sulmuesin e Newcastle, Alan Shearer.
“Nuk mendoja se Barça kishte aq para,” tha Shearer për “Betfair”.
“Dua të them, ndoshta po luajnë zgjuar dhe tani e kanë atë para për të shpenzuar. Çfarë do të bëjnë tani me Rashford është një pyetje, nëse do t’i kenë edhe Rashfordin edhe Gordonin, nuk e di. Mendoja më shumë se Gordoni do të shkonte te Bayern Munichu, sepse ka pasur shumë thashetheme për klubin gjerman. Por Barcelona erdhi vonë në garë dhe po, u habita pak që arritën ta siguronin atë shumë parash, edhe pse nuk duhet ta paguajnë të gjithën menjëherë, pasi shpërndahet gjatë kohëzgjatjes së kontratës”, tha ai.
Shearer thotë se nuk është “i mërzitur” që Gordoni po largohet nga “St James’ Park” këtë verë.
“Mendoj se kur një lojtar dëshiron të largohet dhe e ka bërë të qartë se zemra e tij nuk është më te klubi, atëherë është në rregull, duhet të bësh atë që është më e mira për klubin,” tha ai.
“Asnjë nuk është më i madh se klubi, kështu që është një marrëveshje e mirë për Newcastle, para së gjithash, dhe është një marrëveshje shumë e mirë për Anthony Gordon, kështu që i uroj fat. Duhet ta falënderosh për atë që ka bërë”, u shpreh ai.
“Mendoj se ai, pa asnjë dyshim, ka ndarë opinionet gjatë kohës së tij te Newcastle. Por po, i uroj fat. Nuk kam asnjë problem,” shtoi Shearer./GazetaExpress/
Opel Corsa Hybrid Edition në Foleja Motors vjen si një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një veturë moderne,...