Nevoja e investimit në grupmoshat e reja (IV) - Gazeta Express
string(43) "nevoja-e-investimit-ne-grupmoshat-e-reja-iv"

Gazeta Express

25/08/2020 15:33

Nevoja e investimit në grupmoshat e reja (IV)

Gazeta Express

25/08/2020 15:33

FFK ka një mundësi të artë për vetëreflektim dhe hapje ndaj ideve të reja dhe njerëzve kompetentë, në mënyrë që të evitohen dhe sanohen mangësitë e shumta që i kemi renditur më lart. Futbolli kosovar ndodhet para sfidave shumë të mëdha që s’lënë vend për vetëkënaqësi e krekosje. Është esenciale që FFK të mos imitojë arrogancën, vetëkënaqësinë dhe shkurtpamësinë që liderët politik të Kosovës kanë shpërfaqur në periudhëm e pas-pavarësisë, me pasoja të mëdha për vendin

Shkruajnë: Shpend Thaçi & Gëzim Krasniqi

Lexo Edhe:

Një sfidë tjetër me të cilën është përballur Kosova është edhe funksionalizimi i ekipeve të grupmoshave në të dy gjinitë. Në një kohë relativisht të shkurtër, Kosova ka arritur të konsolidojë grupmoshat U-15, U-17, U-19 dhe U-21 për meshkuj dhe U-17 dhe U-19 për femra. Ekipet e grupmoshave për meshkuj tashmë kanë bërë goxha përvojë në pjesëmarrje në më shumë se një raund kualifikues. Sado që krijimi i këtyre ekipeve dhe pjesëmarrja e tyre në gara është sukses në vete, situata duhet parë në një këndvështrim më të gjerë.

Kur është fjala te suksesi sportiv, vlen të theksohen rezultatet solide të U-17 dhe U-19 që arritën të kualifikohen për fazën e parafundit, “Elite Round”, të kualifikimeve për grupmoshat përkatëse. Po ashtu, U-21 ka treguar rezultate solide në ciklin e parë të kualifikimeve duke siguruar një barazim 0-0 kundër kampionëve të atëhershëm në fuqi (Gjermanisë) dhe duke mposhtur Norvegjinë dhe Azerbajxhanin me lojë bindëse.

Gjithsesi, një problem i theksuar me të gjitha grupmoshat është mungesa e vazhdimësisë në rezultate, që në masë të madhe diktohet edhe nga (pa)mundësia për të krijuar një ekip solid dhe një sistem loje që shndërrohet në pikë reference për ekipin.

S’do mend se futbolli është shumë dinamik dhe lojtarët në moshë të re përballen me probleme të natyrave të ndryshme (fizike dhe psikologjike) që mund të ndikojnë në rënie të menjëhershme të formës.

Pavarësisht shumë aspekteve sportive dhe jo-sportive, që mund të kenë ndikuar në performancën e ekipeve të grupmoshave, ato kanë pasur rol pozitiv në afrimin e një numri të konsiderueshëm të lojtarëve të rinj, si dhe kalimin e tyre nga një grupmoshë në tjetrën, deri edhe te kombëtarja A. Mjafton të përmendet rasti i lojtarëve si Idriz Voca,

Florent Hasani, Visar Bekaj apo Lirim Kastrati, që me sukses kanë përfaqësuar ekipet e grupmoshave dhe tash janë pjesë integrale e kombëtares A.

Sidoqoftë, nga ajo që është demonstruar në fushë dhe jashtë saj deri më tani, s’ka dyshim që sistemi i grupmoshave ka treguar mangësi të theksuara në shumë aspekte.

Në rend të parë, fatkeqësisht akoma mungon një strategji e mirëfilltë për bashkërendim më të ngushtë në aspektin tekniko-taktik dhe të filozofisë së lojës që ekipet e grupmoshave synojnë të aplikojnë. Ky hendek vihet re në mes vet kategorive të ndryshme të grupmoshave dhe sidomos në mes grupmoshave dhe kombëtares A.

Ardhja e Bernard Challandes në krye të Kosovës, si dhe angazhimi i përgatitësit atletik, drejtorit teknik dhe video-analistit (që të gjithë të huaj), ka sjellur një frymë dhe mentalitet tjetër në menaxhim të futbollit. Fatkeqësisht, një nivel i njëjtë i organizimit mungon për grupmoshat. Kjo diktohet edhe nga vet shtabet teknike ekzistuese dhe përvoja e limituar ndërkombëtare e trajnerëve të grupmoshave. Është esenciale që FFK të jetë më transparente dhe më kërkuese në raport me trajnerët e grupmoshave.

Mbi të gjitha, FFK duhet të prioritizojë rritjen e buxhetit dhe përmirësimin e kushteve për grupmoshat dhe në të njëjtën kohë të shqyrtojë mundësinë e freskimit të shtabeve teknike me kuadro të reja dhe profesionale. Megjithëse, angazhimi i trajnerëve të huaj sipas modelit të kombëtares A (që ka rezultuar shumë i suksesshëm) do të ishte ideal, në kushtet aktuale mund të gjinden zgjidhje të ndërmjetme. Më konkretisht, FFK duhet të synojë të ofrojë kuadro profesionale nga Kosova që kanë bërë karrierë ndërkombëtare si lojtarë dhe trajnerë, siç janë Shefki Kuqi, Enis Alushi, Milaim Rama dhe shumë trajnerë të tjerë që punojnë me grupmosha të reja në vende të ndryshme të Evropës. Pavarësisht kontributit domethënës që kanë dhënë trajnerët aktual të grupmoshave ndër vite, është koha për kuadro të reja me filozofi futbollistike bashkëkohore.

Edhe pse Kosova ka fatin e mirë që ka krijuar një kombëtare A në moshë shumë të re dhe në të njëjtën kohë vazhdon të bëhet gjithnjë e më tërheqëse për talentë të rinj nga Evropa, është esenciale që të punohet më shumë me grupmosha për të rritur performancën. Krijimi i gjeneratave të grupmoshave që korrin suksese jo vetëm që i kontribuon promovimit të talenteve të reja (nga Kosova dhe nga diaspora), por në të njëjtën kohë mund të shndërrohet në minierë për kombëtaren A. Në veçanti, krijimi i një ekipi zinxhir që ia del të kualifikohet në ndonjë kampionat në grupmoshën përkatëse, jo vetëm që krijon mundësi të jashtëzakonshme për promovim dhe progres në karrierë për lojtarët në fjalë, por edhe krijon boshtin e ekipit për grupmoshën vijuese apo kombëtaren A. Për shembull, kualifikimi i Maqedonisë së Veriut U-21 në kampionatin evropian në 2017-en ka bërë që të lindë një “gjeneratë e artë” e lojtarëve që sot luajnë në Evropë dhe e kanë bërë kombëtaren e Maqedonisë së Veriut për herë të parë kandidate për kualifikim në një garë prestigjioze.

Potenciali futbollistik i Kosovës është i jashtëzakonshëm me lojtarë të rinj premtues që shpërthejnë nga sezoni në sezon brenda dhe jashtë vendit. Prandaj është me rëndësi të inicohet një riorganizim tërësor i ekipeve zinxhir për të rritur cilësinë dhe rezultatet.

Kosova nuk e ka luksin të kënaqet vetëm me pjesëmarrje në cikle kualifikuese pa shënjuar qartë objektiva konkrete. Po ashtu, s’duhet harruar se në futbollin modern mosha mesatare e lojtarëve që bëhen pjesë e ekipit të parë e edhe bartës të lojës ka rënë ndjeshëm. Lojtarë 19-21 vjeçarë si Kylian Mbappé, Gianluigi Donnarumma, etj, ka vite që janë bërë bartës të lojës së ekipeve dhe kombëtareve përkatëse. Për këtë arsye, sikurse edhe për shkak të situatës ku mosha mesatare në kombëtaren A është mjaft e re, duhet insistuar në kritere rigoroze për lojtarët që meritojnë një ftesë për grupmoshat.

Më konkretisht, është krejtësisht e pajustifikueshme dhe kundërproduktive nëse shohim listën e lojtarëve në 2-3 grumbullimet e fundit te kombëtarja U-21 e Kosovës, aty ka një numër të konsiderueshëm lojtarësh të moshës 22 vjeç. Për të mos diskutuar pastaj faktin që disa prej tyre vinin nga liga rajonale apo ekipe rezervë (të dyta). Objektivisht, nuk mund të pritet që një lojtar 21-22 vjeçar i ekipit U-21 të Kosovës që tani angazhohet (jo)rregullisht në një ekip që garon në ligat rajonale në Gjermani apo Angli të jetë investim për kombëtaren A. Ky fenomen ose është tregues i paaftësisë gjykuese të personave përgjegjës (shtabeve teknike) ose tregues i klientelizmit. Në çdo rast, është investim koti dhe shkurtpamësi që në perspektivë afatgjate dëmton edhe kombëtaren, edhe lojtarë të tjerë me më shumë potencial. Fatmirësisht Kosova ka shumë lojtarë të rinj 19-21 vjeç me potencial të madh që sot janë pjesë e ekipeve bazë në liga të para ose të dyta në Evropë, si dhe në Kosovë, që meritojnë rastin të përfaqësojnë Kosovën U-21 dhe në të ardhmen të depërtojnë në kombëtaren A.

Përfundime

Thyerja e izolimit gati tredekadësh të futbollit kosovar ka hapur një epokë të re.

Shënjuesi më i qartë i këtij ndryshimi monumental që ka ndodhur është padyshim kombëtarja e Kosovës në futboll. Edhe pse sot kjo kombëtare është vetëm 180 minuta larg kualifikimit në “Euro 2020”, lindja e saj s’ka qenë aspak e lehtë. Kundër saj kanë qenë jo vetëm federatat e ndryshme në rajon dhe Evropë, për arsye qoftë politike, qoftë të interesit të ngushtë futbollistik (të vazhdojnë të përfitojnë nga talenti i futbollistëve me origjinë nga Kosova), por edhe individë, klube e tifogrupe në Kosovë që një ëndërr të gjeneratave të tëra dhe një të drejtë të pamohueshme të shtetit të ri të Kosovës, u munduan ta përqeshin, denigrojnë dhe bojkotojnë në emër të “nacionalizmit shqiptar”.

Por, ja që thirrjes për pranim dhe dëshirës për të parë Kosovën tek garon si e barabartë me shtete të tjera iu përgjigjën mjaftueshëm miq të Kosovës e të kryetarit të ndjerë Fadil Vokrri, dhe bijtë e bijat e Kosovës të lindur e rritur jashtë vendit që pa hezitim pranuan të veshin fanellën e kombëtares së Kosovës. Pavarësisht një lindjeje shumë të vështirë, kombëtarja e Kosovës sot është suksesi më i madh në Kosovën e pas-pavarësise dhe me plot të drejtë burim krenarie për popullin e Kosovës. Ngritja e këtij ekipi është e pandalshme, njëjtë sikur vullenti i shumë gjeneratave për të pasur një ekip me të cilin identifikohemi dhe krenohemi për rezultatet e tij.

S’ka dyshim se kjo kombëtare ka arritur shumë në një kohë relativisht të shkurtër dhe ky ekip është i destinuar për arritje të mëdha. Gjithsesi, futbolli kosovar është shumë më shumë sesa vetëm kombëtarja A. Siç jemi përpjekur për të shtjelluar në këtë seri shkrimesh, pavarësisht arritjeve të dukshme deri më tani, futbolli kosovar ballafaqohet me shumë probleme që lidhen me kapacitetin operues, organizimin e FFK-së, infrastrukturën dhe shumëçka tjetër.

FFK ka një mundësi të artë për vetëreflektim dhe hapje ndaj ideve të reja dhe njerëzve kompetentë, në mënyrë që të evitohen dhe sanohen mangësitë e shumta që i kemi renditur më lart. Futbolli kosovar ndodhet para sfidave shumë të mëdha që s’lënë vend për vetëkënaqësi e krekosje. Është esenciale që FFK të mos imitojë arrogancën, vetëkënaqësinë dhe shkurtpamësinë që liderët politik të Kosovës kanë shpërfaqur në periudhën e pas-pavarësisë, me pasoja të mëdha për vendin. Të tentosh të kamuflosh çdo pakënaqësi, kritikë apo mangësi me sukseset e kombëtares A është sa papërgjegjësi, aq edhe veprim i gabuar me pasoja potenciale për futbollin kosovar. Sado përcëllues e magjik që është shkëlqimi i ekipit akual kombëtar, fundja duhet kuptuar që bëhet fjalë për një sport sa mahnitës, aq edhe të paparashikueshëm, ku në çështje sekondash fitorja kthehet në disfatë dhe anasjelltas. Shto këtu edhe karakterin euforik të shoqërisë sonë, që s’do shumë për filluar aktivitetin e preferuar të kërkimit të “kokave turke”. Me fjalë të tjera, duke u fshehur pas kombëtares për çdo kritikë e dështim, FFK po “ecën mbi një shtresë të hollë të akullit”.

Pavarësisht rezultatit të ndeshjeve të tetorit, FFK duhet të kërkojë mënyra për të adresuar problemet e shumta që kemi adresuar më lart, duke filluar nga çështja e Kryetarit të federatës, planifikimi e ndërtimi i kampit nacional, heqja dorë nga investimet kuturu në infrastrukturë e deri te çështja e marketingut dhe imazhit të futbollit kosovar. Siç u përmend disa herë, roli i kombëtares së Kosovës në futboll i tejkalon përmaset sportive. Sidomos në këtë fazë, ku shteti i Kosovës gjindet në pikën më të ulët që nga shpallja e pavarësisë si rezultat i keqmenaxhimit, papërgjegjësisë e mungesës së vizionit politik, futbolli dhe sporti në përgjithësi kanë rol ku e ku më të madh në përfaqësimin e vendit në botë dhe përmirësimin e imazhit të vendit.

Për të mos folur për misionin afatgjatë të futbollit, mjafton të theksohet ndikimi i jashtëzakonshëm që do kishte kualifikimi eventual i Kosovës në kampionatin evropian, i shtyrë për vitin 2021. Më shumë sesa thjesht një ngjarje sportive, ngjajshëm me jehonën e medaljes olimpike të Majlinda Kelmendit, prania e Kosovës në garën më prestigjioze sportive në Evropë afirmon shtetin dhe popullin e Kosovës më shumë sesa çdo kampanjë mediatike, fushatë lobimi apo veprim politik që mund të prodhojë politika kosovare. Për të mos folur pastaj për mundësinë që Kosova të çimentojë vendin e saj në futbollin elitar evropian dhe kësisoj të bëhet burim inspirimi për gjeneratën e ardhshme të djelmoshave të artë Dardanë.

Për fund, ne, autorët e këtij shkrimi, duam të falënderojmë një grup miqsh dhe bashkëpunëtorësh të mbledhur rreth emrit “Forumi për Kosovën”, me të cilët kemi bashkëbiseduar dhe debatuar, si dhe jemi konsultuar për futbollin e Kosovës gjatë më shumë se 2 viteve. Shumë vlerësime, qëndrime dhe ide në këto shkrime janë inspiruar nga bashkëbisedimet pasionante dhe konstruktive në ‘Forum’.