Aktorja e njohur hollywoodiane, Dakota Johnson, ka treguar edhe njëherë se nuk i frikësohet paragjykimeve dhe se veshjet e saj guximtare janë shprehje e vetëbesimit dhe lirisë personale.
Në një intervistë për “Vogue Germany”, 36-vjeçarja foli hapur për marrëdhënien e saj me modën, feminitetin dhe mënyrën si e përjeton trupin e saj përtej rregullave që shoqëria i imponon grave të njohura.
“Vërtet nuk më intereson çfarë mendojnë të tjerët. Nëse gjej një fustan që më bën të ndihem mirë, do ta vesh, edhe nëse është transparent apo me prerje të theksuara,” – u shpreh ylli i “Fifty Shades of Grey”.

Johnson, e njohur për stilin e saj të veçantë në tapetin e kuq, tha se për të moda nuk është provokim, por mënyrë për të shprehur vetveten.
“Kam pasur fatin të vesh disa nga fustanet më të bukur në botë, dhe ajo ndjesi kur një fustan të bën të ndihesh e bukur, është e papërshkrueshme. Prandaj i vesh,” – shtoi ajo me një buzëqeshje.
Megjithatë, aktorja pranoi se jo çdo zgjedhje është perfekte:
“Ka raste që një fustan nuk më shkon aspak. Gjithçka varet nga forma, materiali apo ngjyra. Por në fund, ajo që ka rëndësi është si ndihem unë me të, jo si duket në sytë e të tjerëve.”

Një ndikim të madh në vetëbesimin e saj, Dakota e lidh me nënën e saj, aktoren Melanie Griffith, e cila sipas saj e ka mësuar që në fëmijëri ta pranojë dhe ta dojë trupin e vet pa komplekse.
“Ajo ishte gjithmonë e hapur për trupin dhe bukurinë natyrale. Na mësoi që të mos kemi turp nga vetja, dhe kjo është një dhuratë që më ka ndihmuar shumë si grua dhe si artiste,” – rrëfeu aktorja.

Së fundmi, Dakota ka qenë në qendër të vëmendjes për disa paraqitje që kanë bërë bujë në rrjetet sociale dhe mediat rozë. Një nga momentet më të komentuara ishte fustani i tejdukshëm Gucci që veshi në darkën humanitare “Caring for Women” në Nju Jork, si dhe pamja e saj e guximshme në Festivalin e Filmit në Cyrih, ku zgjodhi një veshje transparente që theu çdo tabu.
Me një karrierë që shkon nga rolet dramatike te komeditë romantike, Dakota Johnson po dëshmon se autenticiteti dhe vetëbesimi janë arma më e fortë e një gruaje moderne — në jetë, në film dhe në pasarelë. /GazetaExpress/