Në kërkim me masë nga GJKKO, arrestohet 46-vjeçari në Malin e Tomorit - Gazeta Express
string(68) "ne-kerkim-me-mase-nga-gjkko-arrestohet-46-vjecari-ne-malin-e-tomorit"

Shqiperi

Gazeta Express

25/08/2025 10:00

Në kërkim me masë nga GJKKO, arrestohet 46-vjeçari në Malin e Tomorit

Shqiperi

Gazeta Express

25/08/2025 10:00

Një i kërkuar, me masë sigurie “Arrest në burg”, caktuar nga GJKKO-ja është kapur dhe vënë në pranga në Malin e Tomorit.

Policia e Shtetit bëri të ditur sot se, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 60”.

Bazuar në informacionet e siguruara se në Malin e Tomorit po qarkullonte me automjet, një shtetas i kërkuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, të kryera në formën e organizatës kriminale, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasin D. B., 46 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë  “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave kriminale nga grupi i strukturuar kriminal”.