Xhiroja e dytë e Superligës së basketbollit do ta sjellë një ndeshje të madhe në këtë fundjavë.
Trepça dhe Sigal Prishtina do të përballen mes vete në Mitrovicë në derbin e moçëm të dy prej klubeve më të mira dhe më të suksesshme në basketbollin e këtushëm.
“Klasikja” do të luhet të shtunën duke filluar nga ora 19:00 në palestrën e sporteve “Minatori” në Mitrovicë, ku gjithmonë atmosfera ka ditur të jetë e zjarrtë dhe e jashtëzakonshme, shkruan “Gazeta Express”.
Të dyja ekipet e nisën sezonin e ri të ligës elitare me fitore, ndërsa në fundjavë do ta kërkojnë fitoren e dytë, ndonëse vetëm njëra prej tyre do ta arrijë atë.
Trepça është mjaft e motivuar pasi e fitoi Superkupën e Kosovës dhe do ta kërkojë fitoren.
Mitrovicasit synojnë ta fitojnë titullin e kampionit pas një kohe të gjatë pasi dështuan ta bënin një gjë të tillë në edicionin e kaluar kur humbën nga Peja në serinë finale të “play-offit”.
Nga ana tjetër, edhe kryeqytetasit po e kërkojnë këndelljen pasi në vitet e fundit nuk i kishin punët aspak mirë me rezultate dhe me suksese.
Duelet tjera të xhiros së dytë të Superligës, të cilat do të luhen në fundjavë janë: Bashkimi – Vëllaznimi, Proton Cable Prizreni – Peja dhe Golden Eagle Ylli – Istogu. /Gazeta Express/