Një valë e fuqishme e të ftohtit polar nga Antarktida përfshiu pjesë të Ishullit Jugor të Zelandës së Re të martën, duke sjellë borë deri në nivelin e detit dhe temperatura ngrirëse që kanë çuar në mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të mësimit në shkolla.
Bora mbuloi Dunedin, qytetin e dytë më të madh të Ishullit Jugor, duke bërë që policia t’u bëjë thirrje njerëzve të mos udhëtojnë përveç nëse është absolutisht e nevojshme, sepse rrugët janë të akullta.
Reshjet e borës janë të rralla në Dunedin, veçanërisht në nivelin e detit, megjithëse zonat më të larta në qytet mund të mbulohen herë pas here me borë gjatë shpërthimeve të forta të ajrit të ftohtë.
Autoritetet thanë se të gjitha shërbimet e autobusëve në qytet ishin anuluar, ndërsa shërbimet e trageteve midis Ishujve Veriorë dhe Jugor të Zelandës së Re u pezulluan për shkak të erërave të forta dhe valëve të larta.
Shërbimi Meteorologjik i Zelandës së Re tha se vala e të ftohtit pritej të zgjaste edhe për dy ditë të tjera, me borë ose shi të shkrirë që binte afër nivelit të detit në të gjithë pjesën lindore të Ishullit Jugor.