Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka konstatuar praninë e lartë të pesticideve në fruta të importuara nga Greqia. Sipas njoftimit zyrtar, një sasi pjeshkësh rezultoi me nivel mbi normë të pesticidit Phosmet, ndërsa një sasi e konsiderueshme “rrushi i kuq francez” u identifikua me mbetje të larta të Propamocarb-it. Të dy substancat përbëjnë rrezik të lartë për shëndetin e njeriut.
AKU ka njoftuar subjektet tregtare për tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produkteve nëse ndodhen ende në qarkullim dhe ka bllokuar sasinë në gjendje për qëllime asgjësimi. Rasti është raportuar edhe nga sistemi evropian i alarmit për sigurinë ushqimore, RASFF.