Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, vazhdon të mbetet një nga garancitë kryesore të sigurisë në vend, me gjithsej 4.657 ushtarë të dislokuar nga 31 shtete të botës.
Sipas të dhënave më të fundit, kontingjentin më të madh e ka Italia me 907 ushtarë, e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 590, Hungaria me 408 dhe Turqia me 382 trupa. Këto katër vende përbëjnë gati gjysmën e forcave të KFOR-it në Kosovë.
Ndër kontribuuesit më të mëdhenj janë edhe Gjermania me 308 ushtarë, Polonia me 247, Zvicra me 200 dhe Rumania me 188 trupa.
Nga vendet e rajonit, Shqipëria kontribuon me 126 ushtarë, Kroacia me 151, ndërsa Maqedonia e Veriut me 70 trupa.
Në mision marrin pjesë edhe vende të tjera evropiane dhe partnere të NATO-s, përfshirë Mbretëria e Bashkuar, Finlanda, Greqia, Austria dhe Kanadaja.
Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, gjenerali i Forcave Ajrore amerikane, Alexus G. Grynkewich, tha se Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) gradualisht do të përshtatë forcën për mbështetjen e misionit të saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, gjatë vitit të ardhshëm, për shkak të, siç tha ai, përmirësimit të situatës së sigurisë në vend.
“NATO dhe KFOR-i janë të përkushtuar për sigurinë në Kosovë”, tha komandanti Grynkewich përmes një njoftimi më 12 qershor. “Është ky angazhim që ka çuar në rritjen e stabilitetit, teksa organizatat e sigurisë në Kosovë janë bërë më të afta. Kushtet aktuale ofrojnë mundësi për të optimizuar madhësinë dhe pozicionimin e KFOR-it”, shtoi ai.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë është vendosur më 1999 në vend. Nga afër 50.000 trupa sa ishin dislokuar në atë vit, pas përfundimit të luftës, në Kosovë aktualisht janë rreth 4.600 trupa paqeruajtëse të KFOR-it nga shtete të ndryshme.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit për Sundim të Ligjit të Bashkimit Evropian, EULEX. Ky mision paqeruajtës po ashtu ka përgjegjësinë e sigurisë përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë.
Në njoftimin e NATO-s – që vjen në përvjetorin e 27-të të hyrjes së trupave të saj në Kosovë, pas fushatës ajrore të aleancës mbi caqet serbe – u tha se situata e sigurisë ka vazhduar që të përmirësohet në vitet e fundit. Për këtë arsye, në janar NATO-ja ndaloi dislokimin e forcave rezervë në KFOR pas pothuajse dy vjetësh të rotacionit të vazhdueshëm.
“Teksa situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht stabile, NATO do të optimizojë praninë e KFOR-it dhe gradualisht do të përshtatë forcën e tij aktuale gjatë vitit të ardhshëm”, u tha në njoftimin e aleancës ushtarake perëndimore.
Ndryshimet do të ndodhin gradualisht në përputhje me kushtet në terren dhe ato mund të zhbëhen, nëse është e nevojshme, tha NATO.
Aleanca ushtarake perëndimore kujtoi se kishte rritur numrin e dislokimeve për pothuajse 1.000 trupa shtesë pas tensioneve dhe dhunës më 2023, përfshirë edhe “sulmeve të pajustifikuara ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në Zveçan”. Ky dislokim, sipas NATO-s, ishte më i madhi në mbi një dekadë.
Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime pas përleshjes me protestuesit serbë, të cilët po kundërshtonin marrjen e detyrës të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe. Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.
Deri më tani, për dhunën në Zveçan janë dënuar disa persona.
Përveç ofrimit të sigurisë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, KFOR-i ka edhe rol në ofrimin e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.
Përmes një zotimi të vitit 2013, Kosova nuk mund të dërgojë Forcën e Sigurisë së Kosovës – që është në proces të transformimit në ushtri – në veri, pa pëlqimin paraprak të misionit të KFOR-it.
Ky angazhim ishte dhënë përmes një letre që ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i kishte drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Ai mbetet në fuqi sot e kësaj dite, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
NATO tha po ashtu se vazhdon të mbështesë dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë – që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian – duke u bërë thirrje palëve që të zgjidhin mosmarrëveshjet dhe të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.
“Kjo është kyç për siguri afatgjatë në Kosovë dhe stabilitet në rajon”, u tha në njoftimin e KFOR-it.
Gjenerali Grynkewich po ashtu tha se NATO-ja është e përkushtuar për Ballkanin Perëndimor, të cilin e cilësoi si rajon me rëndësi strategjike për aleancën, siguria e të cilit, sipas tij, lidhet direkt me sigurinë e zonës euroatlantike, duke shtuar se NATO nuk do të lejojë që të ketë vakum të sigurisë”.