Punonjësit e Muzeut Brontë Parsonage Museum në Haworth kanë dalë në mbrojtje të adaptimit të ri filmik të romanit klasik Wuthering Heights, të realizuar nga regjisorja Emerald Fennell, duke e cilësuar atë “të mahnitshëm”, “emocionues” dhe “fantastik”, pavarësisht polemikave që ka shkaktuar.
Filmi hapet me një skenë tronditëse: një murgeshë e eksituar sheh një të varur me ereksion. Në vijim, historia e romanit të vitit 1847 nga Emily Brontë pasurohet me elementë të fortë erotikë, përfshirë praktika BDSM, skena masturbimi në moçale, shtretër të mbushur me vezë për efekt sensual dhe marrëdhënie seksuale në shi.
Përveç kësaj, disa personazhe janë hequr ose bashkuar, detaje të rëndësishme të fabulës janë ndryshuar dhe gjysma e dytë e romanit është lënë jashtë. Këto ndërhyrje kanë shkaktuar pakënaqësi te një pjesë e akademikëve dhe adhuruesve të veprës origjinale.
“Një ëndërr me ethe”
Megjithatë, për stafin e muzeut – i cili ndodhet në shtëpinë ku motrat Brontë shkruan veprat e tyre – filmi është një përvojë mbresëlënëse.

“E adhurova. Më preku shumë emocionalisht,” tha Zoe, pjesë e stafit të mirëmbajtjes.
“Është si një ëndërr me ethe,” u shpreh Mia nga sektori digjital. “Kostumet, skenografia dhe muzika janë mahnitëse. Është një arratisje e fuqishme në botën e romanit.”
Ruth, koordinatore e përvojës së vizitorëve, vlerësoi se filmi arrin të kapë “të vërteta thelbësore të marrëdhënies mes Heathcliff-it dhe Cathy-t”, edhe pse merr liri të mëdha artistike.
Ajo e krahasoi këtë version me adaptime të mëparshme si filmi i vitit 1939 me Laurence Olivier, versioni i vitit 1992 me Juliette Binoche dhe Ralph Fiennes, si edhe filmin e vitit 2011 nga Andrea Arnold.
Jo besnik, por argëtues
Disa punonjës pranuan se ndryshimet janë të shumta. “A është besnik? Jo. Është për puristët? Jo. Por a është një interpretim argëtues? Po,” tha Diane nga sektori i marrëdhënieve me publikun.
Ajo përgëzoi edhe zgjedhjen e Jacob Elordi në rolin e Heathcliff-it, pavarësisht përshkrimit të tij në roman si “me lëkurë të errët”, duke e cilësuar aktorin “fantastik” dhe bindës në theks.
Filmi u shfaq në një preview në Keighley, organizuar nga Warner Bros.. Drejtoresha e muzeut dhe e Shoqatës Brontë, Rebecca Yorke, theksoi se institucioni nuk ka qenë i përfshirë në realizimin e filmit, por Fennell kishte marrë pjesë në festivalin e shkrimtareve Brontë në shtator, ku foli për marrëdhënien e saj personale me romanin.
Reagime pozitive dhe pritshmëri të larta
Në shfaqjen e parë publike në Leeds ishte e pranishme edhe biografja e fundit e Emily Brontë, Dr Claire O’Callaghan, e cila e cilësoi filmin “të këndshëm”, me “interpretime brilante” dhe me një përzierje intensiteti e tragjedie.
Sipas saj, fakti që Fennell e paraqet hapur si interpretim personal e bën filmin më të pranueshëm. “Nuk ka përpjekje për besnikëri ndaj origjinalit. Është i tejskajshëm dhe shumë larg dramës tradicionale të periudhës,” u shpreh ajo.

Muzeu ndodhet në shtëpinë ku Emily vdiq në moshën 30-vjeçare, një vit pasi botoi romanin e saj të vetëm me pseudonimin Ellis Bell. Edhe kritikat e para ndaj romanit në shekullin XIX kishin qenë të ashpra, duke e quajtur veprën tronditëse dhe të mbushur me urrejtje e mizori.
Sot, polemikat duket se po kthehen në përfitim. Muzeu pret rritje të numrit të vizitorëve dhe tashmë raporton një shtim të ndjeshëm të shitjeve të romanit. Orari i hapjes është zgjatur dhe janë prodhuar suvenire ekskluzive.
Filmi pritet të arkëtojë mbi 80 milionë dollarë në fundjavën e parë – afërsisht sa buxheti i tij – ndërsa Warner Bros. ka lidhur partneritete me marka të shumta për produkte të licencuara, nga veshje intime deri te mbulesa pasaportash. /GazetaExpress/