Mustafa: Papërgjegjësi të thuhet se presioni i Thaçit e solli Specialen, e përgëzoj Ramën për Rezolutën - Gazeta Express
string(101) "mustafa-papergjegjesi-te-thuhet-se-presioni-i-thacit-e-solli-specialen-e-pergezoj-ramen-per-rezoluten"

Mustafa: Papërgjegjësi të thuhet se presioni i Thaçit e solli Specialen, e përgëzoj Ramën për Rezolutën

Lajme

Gazeta Express

24/07/2022 11:05

Ish-kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, e ka vlerësuar lartë iniciativën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për hartimin dhe aprovimin e një Rezolute kundër raportit të Dick Martyt, shkruan Gazeta Express.

Besnik Velija

Lexo Edhe:

Në një përgjigje për Gazetën Express, Mustafa ka thënë se raporti i senatorit zviceran ka rezultuar i pavërtetë dhe me pasoja për Kosovën, prandaj ish-kryeministri Mustafa potencon se Rezoluta në Kuvendin e Shqipërisë është në anën e të vërtetës, anë kjo në të cilën duhet të rreshtohen edhe institucionet e Republikës së Kosovës.

“E vlerësoj si një veprim shtetëror të përgjegjshëm dhe të bazuar. Raporti i Dick Martit atakon UÇK-në – Kosovën dhe Shqipërinë lidhur me trafikimin e organeve njerëzore, gjë që ka rezultuar i pavërtetë dhe shumë i dëmshëm. Prandaj rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë është në anën e së vërtetës. Edhe institucionet e Kosovës duhet të rreshtohen kah e vërteta”, ka thënë Mustafa për Gazetën Express.

Tutje Mustafa ka pasur disa fjalë edhe për presidenten e vendit, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se nuk duhet harruar se kush kishte insistuar dhe kush kishte bërë presion për themelimin e Gjykatës Speciale.

Isa Mustafa ka thënë se nuk është e vërtetë që e kanë shtyrë përpara themelimin e Gjykatës Speciale njerëzit që sot po mbahen në paraburgim në Hagë. Ish-kryeministri thotë se është papërgjëgjësi të thuhet një deklaratë e tillë nga liderët e Kosovës.

Mustafa thotë se Specialen e kanë shtyrë përpara ndërkombëtarët dhe se të njëjtit janë shprehur qartë që nëse nuk e bën Kosova do të themelohet një gjykatë nga Këshilli i Sigurimit me nismën e Rusisë dhe Kinës dhe se një gjë e tillë nuk do të kundërshtohet nëse Kosova nuk e themelon.

“Duhet të theksoj se nuk është e vërtetë se njerëzit që sot po gjykohen mbi bazën e Raportit të Dick Martit dhe deputetëve rus, janë ata që e kanë shty përpara themelimin e Gjykatës Speciale. Është e papërgjegjshme të thuhet kështu nga liderët e Kosovës. Gjykatën e kanë shty përpara ndërkombëtarët. Janë shprehur qartë, ose themelone ju ose do ta themelojë Këshilli i Sigurimit me iniciativë të Rusisë dhe të Kinës, dhe se këtë iniciativë nuk do ta kundërshtojmë në qoftë se ju nu e themeloni”, ka thënë Isa Mustafa për Gazetën Express.

Mustafa teksa përmend presionin ndërkombëtar, thotë se Gjykata Speciale nuk është themeluar pse ka bërë presion Hashim Thaçi, por se është krijuar si rezultat i presionit të SHBA-së dhe BE-së për të shmangur përfshirjen e Rusisë në caktimin e mandatit, fushëveprimit dhe kohëzgjatjes së saj.

Ish-kryetari i LDK-së thotë se në këtë çështje Hashim Thaçi ishte treguar burrështetas i ndërgjegjshëm.

“Prandaj themelimi i saj nuk është bërë se ka bërë presion Thaçi, por se kanë bërë presion SHBA dhe BE dhe se është evituar që kjo gjykatë të mos jetë nën autoritetin rus për të caktuar mandatin, fushëveprimin dhe kohëzgjatjen e saj. Në këtë aspekt ish presidenti Thaçi është treguar burrështetas i ndërgjegjshëm”, ka thënë Mustafa.

Në fund ish-kryeministri ka thënë se e përgëzon Kuvendin e Shqipërisë për votimin e një rezolute të tillë dhe kreun e Qeverisë shqiptare për nismën e ndërmarrë.

“E përgëzoj Kuvendin e Shqipërisë për votimin e Rezolutës dhe Kryeministrin Rama për inicimin e saj!”, ka përfunduar Isa Mustafa.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë kishte treguar për nismën e tij për një Rezolutë kundër Raportit të Dick Martyt. Rama ka thënë se një Rezolutë të tillë fillimisht do ta miratojnë në Kuvendin e Shqipërisë dhe më pas të njejtën do ta çojnë në Këshillin e Evropës për të kërkuar që ky institucion të distancohet nga raporti i Dick Martyt.

Rezoluta ka marrë dritën e gjelbër në Kuvendin e Shqipërisë me shumicë votash dhe tashmë pritet të dërgohet në KiE.

Nga Qeveria e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se e mirëpresin një Rezolutë të tillë, derisa presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media pas takimit me Ilir Metën ka thënë se s’mund të pritet një reagim special për Rezolutën meqë qëndrimi i Kosovës për pastërtinë e luftës së UÇK-së është i çdoditshëm./GazetaExpress/