Muja modern dhe shteti pa lavdi - Gazeta Express
string(31) "muja-modern-dhe-shteti-pa-lavdi"

OP/ED

Gazeta Express

30/10/2025 14:17

Muja modern dhe shteti pa lavdi

OP/ED

Gazeta Express

30/10/2025 14:17

Historia e një udhëheqësi që përballet me hijet e veta dhe e një shteti që endet në kërkim të kuptimit përtej moralit; një epikë moderne ku jehona e heronjve të eposit shqiptar takon universin magjik të Gabriel García Márquezit

Fadil Sahiti

Në politikën bashkëkohore të Kosovës, pak figura kanë ngjallur aq shumë pasion, ndarje dhe shpresë sa Albin Kurti. Ai u përjetua si udhëheqësi i një epoke të re, simbol i moralit të paprekur dhe i idealizmit qytetar që pritej të korrigjonte mëkatet e tranzicionit. Me kalimin e viteve, ky idealizëm është shndërruar në vetminë e një lideri që nuk ka më kundërshtarë të vërtetë, por megjithatë ndien nevojën të luftojë.

Kurti ngjan me një Mujë modern, një figurë që jeton në përballje të përhershme dhe që mat forcën me armiq të shpikur për të ruajtur kuptimin e luftës. Në vend të qeverisjes ka zgjedhur konfrontimin, në vend të dialogut moralizimin, në vend të kompromisit betejën e përhershme me të tjerët. Republika që ai nuk arrin ta qeverisë, ndonëse duhej të ishte shtëpia e arsyes, shpesh duket si një arenë përplasjesh ku heroi nuk kërkon zgjidhje, por dëgjues.

Kjo figurë e Mujës modern, që marshon me Gjogun e idealit por pa Sokol (e) Halilin dhe Talin, na kujton heronjtë e Gabriel García Márquez-it, gjeneralë të vetmuar në labirintin e pushtetit, të cilët pasi fituan betejat e mëdha mbetën peng të lavdisë së tyre. Si në universin markezian, edhe këtu pushteti shndërrohet në hapësirë ku idealet përplasen me realitetin dhe ku morali i lartë, i shkëputur nga pragmatizmi, përfundon në izolim.

Te Márquez-i, heronjtë nuk shemben nga mungesa e forcës, por nga tepria e besimit në vetvete. Ata vazhdojnë të luftojnë edhe kur beteja ka mbaruar, sepse vetëm përmes përballjes ndiejnë se ekzistojnë. E njëjta ndjesi shfaqet edhe në politikën e Kurtit, një përpjekje e pandërprerë për të ruajtur pastërtinë morale edhe kur shteti ka nevojë për bashkëpunim dhe ndarje përgjegjësish, jo për monolog.

Në këtë kuptim, Kosova rrezikon të kthehet në një Macondo, një vend pa lavdi ku fjala ka humbur peshën dhe ku udhëheqësi flet më shumë për të tjerët sesa me ta. Heroizmi qytetar që dikur frymëzonte lëvizjen e tij është zëvendësuar me një ritual politik të vetëpohimit moral, ku çdo kritikë shihet si fyerje dhe çdo kundërshti si tradhti. Ashtu si në Macondon e Márquez-it, idealet që premtuan rilindje janë përfshirë nga harresa dhe përsëritja, ndërsa historia, në vend që të ecë përpara, rrotullohet në një qark të pafund vetëlavdërimi dhe vetmie.

Figurat e Márquez-it na kujtojnë se pushteti nuk është i përjetshëm dhe se lavdia, sado e madhe, nuk e mposht vetminë. Si Buendía në fund të romanit ‘Njëqind Vjet Vetmi’, që zbret në heshtjen e shtëpisë së rrënuar në Macondo, edhe ‘Muja i ynë modern’ që e ngjiti idealin mbi gjithçka, një ditë do të përfundoj i rrethuar nga hijet e vetëbesimit të tepërt. Sepse, kur idealet humbasin kontaktin me realitetin, mbetet vetëm vetmia e fjalës që nuk dëgjohet më. Heroi i epikës moderne nuk është më ai që fiton betejat, por ai që di të ndalojë së luftuari kur beteja humb kuptimin.

Si përfundim, Muja i Kosovës moderne mund të vazhdojë të shpallë fitore morale, por Republika jonë, ashtu siç e quan ai shpesh, ka më shumë nevojë për qetësi sesa për betejë, për institucione që punojnë dhe për një politikë që dëgjon, jo që predikon. Dikush duhet t’ia kujtojë Mujës së shekullit XXI se lavdia e vërtetë nuk gjendet më në përballje, por në aftësinë për të ndërtuar besim dhe bashkëpunim. Heronjtë e Márquez-it e kuptuan vonë, shpesh me dhimbje, se lavdia që kërkon vetminë është vetëm një formë e humbjes. Asnjë pushtet nuk mbijeton pa arsyen, sepse aty ku mbaron dialogu nis rënia e heroit.

Advertisement
Advertisement
Advertisement