Moto GP, anulohet Çmimi i Madh i Austinit - Gazeta Express

Moto GP, anulohet Çmimi i Madh i Austinit

Sport

Gazeta Express

09/07/2020 19:35

Anulohet Çmimi i Madh i Amerikës në Moto GP. DORNA zyrtarizoi anulimin e garës së përvitshme në Shtetet e Bashkuara, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Edicioni i 72-të i kampionatit botëror të motoçiklizmit nuk ka startuar ende, megjithatë kalendari i këtij sezoni shkurtohet në këtë mënyrë akoma më tepër, pas vendimit të drejtuesve më të lartë për të hequr përfundimisht nga kalendari garën e përvitshme në kryeqytetin teksan.

Sezonin e kaluar gara e Çmimit të Madh të Amerikës në Austin ishte një ndër garat më spektakolare dhe aventurën teksane vitin e shkuar e fitoi spanjolli Alex Rins me Suzuki, që mposhti për më pak se gjysmë sekonde pilotin legjendar italian Valentino Rossi me Yamaha. Çmimi i Madh i Amerikës ishte i përfshirë në kalendarin fillestar të Moto GP, e ashtu si në sezonin e kaluar edhe këtë vit gara në cirkuitin teksan, që është i gjatë 5.5 kilometra ishte programuar për t’u zhvilluar si ndalesa e tretë, në radhën e garave të aprovuara.

Edicioni i sivjetshëm do të startojë pas 10 ditësh, me Çmimin e Madh që do të zhvillohet në Spanjë, në pistën andaluziane në Jerez de la Frontera, që mban emrin e pilotit të famshëm vendas Angel Nieto, megjithatë është e kuptueshme që do të jetë një kampionat i shkurtër dhe tepër i pazakontë, për arsye të influencës së Virusit COVID-19. Në këtë mënyrë kampionati botëror i motoçiklizmit humbet një tjetër pjesë të çmuar dhe Çmimi i Madh i Amerikës është i nënti që fshihet nga kalendari i sivjetshëm nga drejtuesit e DORNA-s.

Në kalendarin e miratuar të startit të sezonit aventura në Shtetet e Bashkuara ishte programuar fillimisht për t’u zhvilluar më datë 5 prill, sidoqoftë pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, izolimit dhe masave të forta shtrënguese që u vendosën anembanë globit situata ndryshoi ndjeshëm dhe pak e nga pak kalendari i edicionit të 72-të të kampionatit botëror të motoçiklizmit filloi të cungohej. Drejtuesit e garës amerikane në Austin ishin në pritje të përmirësimit të gjendjes, megjithatë situata duket sikur ka precipituar dhe gjërat përtej Atlantikut janë përkeqësuar ndjeshëm.

Kalendari për momentin përbëhet nga vetëm 13 gara, që të gjitha etapa evropiane, madje disa prej tyre do të zhvillohen disa herë po në të njëjtin vend. Vendi më i privilegjuar është padyshim Spanja, që do të presë plot 7 nga 13 garat e programuara, me 2 gara në Andaluzi, 1 në Katalunjë, 2 në Aragonë si dhe 2 garat përmbyllëse që do të mbahen si zakonisht në Komunitetin Valencian, në Cirkuitin Ricardo Tormo. Bosi i DORNA-s Carmelo Ezpeleta nuk i ka humbur shpresat për t’i shtuar një tjetër garë kampionatit, këtë herë jashtë Kontinentit të Vjetër, me shumë gjasa nëse do të realizohet etapa e përzgjedhur do të jetë pikërisht Çmimi i Madh i Malajzisë, në Sepang.

Kampionati duhej të kishte startuar që më datë 8 mars me Çmimin e Madh të Katarit, sidoqoftë përveç Losail-it, për shkak të pandemisë së koronavirusit me radhë janë anuluar një e nga një nga organizatorët edhe garat e tjera në Mugello, Sachsenring, Assen, Kausala në Finlandë, Silverstone, Motegi, Phillip Island e së fundmi pra kësaj liste I shtohet gjithashtu edhe gara e Çmimit të Madh të Amerikës, në Austin në Teksas.