Mospërputhje në listat e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për të mbijetuarit e tragjedisë - Gazeta Express

Mospërputhje në listat e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për të mbijetuarit e tragjedisë

Lajme

Gazeta Express

25/11/2021 18:05

Ka mospërputhje në listën e të mbijetuarve nga aksidenti tragjik në autostradën e Strumës në Bullgari, transmeton Gazeta Express.

Sipas listës bullgare, aty figuron emri i një të riu, ndërsa në atë të Maqedonisë së Veriut – një i moshuar me nënshtetësi belge, shkruan televizioni kombëtar bullgar, BNT.

Lexo Edhe:

Mediat maqedonase tashmë kanë publikuar raporte për këtë çështje, ndërsa sipas informacioneve të pakonfirmuara, personi që gjendet në listën e Bullgarisë ka bërë autostop.

Prokuroria bullgare, sot bëri të ditur se një nga të mbijetuarit e aksidentit ka prentenduar vazhdimisht se kanë shpëtuar tetë persona, jo shtatë.

Sipas djalit të shoferit të dytë të autobusit, me të cilin foli BNT, ka një emër në listën e të mbijetuarve të një burri 36-vjeçar që nuk ishte në mesin e pasagjerëve të “Besa Trans”.

Prokurorja bullgare, Siika Mileva tha sot se është “mister i madh” deklarata e njërit nga të mbijetuarit, i cili vazhdimisht kishte thënë se kanë shpëtuar tetë persona.

Sipas informacioneve zyrtare, të cilat u dhanë sot nga ata që po e kryesojnë hetimin për tragjedinë në Bullgari, 44 persona, shumica shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, kanë gjetur vdekjen në rrethana tragjike në orët e para të mëngjesit të së martës, pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë.