Sipas prokurorisë, viktimat ishin të moshës nga 25 deri në 94 vjeç.
Një mjek i kujdesit paliativ në Gjermani është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për vrasjen e 15 pacientëve të tij në një nga rastet më tronditëse të viteve të fundit në vend.
Gjykata në Berlin vendosi se mjeku 41-vjeçar, i identifikuar vetëm si Johannes M., në përputhje me ligjet gjermane për mbrojtjen e privatësisë, vrau 12 gra dhe 3 burra gjatë periudhës nga shtatori 2021 deri në korrik 2024.
Sipas prokurorisë, viktimat ishin të moshës nga 25 deri në 94 vjeç. Edhe pse vuanin nga sëmundje të rënda, gjykata konstatoi se asnjëri prej tyre nuk ndodhej në prag të vdekjes, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.
Hetimet zbuluan se gjatë vizitave në banesat e pacientëve, mjeku u administronte pa pëlqimin e tyre një kombinim ilaçesh me efekt vdekjeprurës. Në disa raste, ai dyshohet se i vuri zjarrin banesave të viktimave për të fshehur gjurmët e krimit.
Një nga episodet më të rënda ndodhi në korrik të vitit 2024, pak para arrestimit të tij. Sipas prokurorisë, ai vrau dy pacientë brenda së njëjtës ditë: fillimisht një 75-vjeçar në banesën e tij në qendër të Berlinit dhe disa orë më vonë një 76-vjeçare në një lagje fqinje. Pas krimit të dytë, ai tentoi t’i vinte flakën shtëpisë së viktimës, por pa sukses.
Për pjesën më të madhe të procesit gjyqësor, që zgjati rreth një vit, mjeku nuk dha asnjë deklaratë. Vetëm muajin e kaluar ai pranoi se kishte vrarë 12 pacientë, duke pretenduar se kishte besuar se po u jepte fund vuajtjeve të tyre.
“Gjatë gjithë kohës mendoja se kjo ishte zgjidhja më e mirë për të gjithë,” deklaroi ai para gjykatës, duke kërkuar gjithashtu falje për dhimbjen që kishte shkaktuar.
Megjithatë, autoritetet besojnë se numri i viktimave mund të jetë shumë më i madh. Prokuroria po heton edhe 76 raste të tjera të dyshuara që mund të lidhen me të njëjtin mjek.
Nëse këto dyshime vërtetohen, mediat gjermane raportojnë se bëhet fjalë për një nga rastet më të mëdha të vrasjeve seriale në historinë e Gjermanisë.
Gjatë gjyqit dëshmuan edhe familjarët e viktimave. Nëna e pacientes më të re, një 25-vjeçare e cila humbi jetën në vitin 2021, deklaroi mes lotësh se vajza e saj nuk kishte shprehur kurrë dëshirën për të vdekur.
Edhe djali i një 72-vjeçareje tha se nëna e tij kishte plane për të kaluar pushimet pranë Detit Baltik me motrën e saj. “Nëna ime donte të jetonte,” u shpreh ai.
Përveç dënimit me burgim të përjetshëm, gjykata urdhëroi që mjeku të mbahet në paraburgim të posaçëm edhe pas përfundimit të dënimit, duke e konsideruar atë një rrezik të vazhdueshëm për shoqërinë. Gjithashtu, atij iu ndalua përgjithmonë ushtrimi i profesionit të mjekut.