“UNITED24”, një organizatë e krijuar nga presidenti Volodymyr Zelensky me qëllim të mbledhjes së fondeve për Ukrainën, njoftoi në fillim të këtij viti se po fillonte një përpjekje për mbledhjen e fondeve për të rindërtuar blloqe apartamentesh në rajonin e Kievit.
Nisma ishte krijuar për të ndihmuar 4,237 ukrainas të kthehen në shtëpitë e tyre, transmeton Gazeta Express.
Kampioni botëror i boksit dhe ambasadori i “UNITED24”, Oleksandr Usyk, po drejton fushatën dhe ka mision të veçantë për rindërtimin e një bllokut të apartamenteve në Irpin, qytet në periferi të Kievit, i cili u çlirua në fund të muajit mars të vitit 2022.
Usyk, i cili ka përdorur “fuqinë” e tij për të rritur ndërgjegjësimin për luftën që nga fillimi, njihte një mik, Oleksiy Dzhunkivskyy, i cili punonte në palestrën e boksit në fund të bllokut të apartamenteve në fjalë.
Boksieri ukrainas tha për “CNN” se shoku i tij, i cili u mësoi fëmijëve se si të boksojnë, u vra nga forcat ruse derisa ai u përpoq të mbronte palestrën dhe se shtëpia e tij nuk është shumë larg nga ku ndodhet blloku i apartamenteve.
“Jam i motivuar nga ideja se duhet të ndihmoj kombin tim, popullin tim. Zoti më ka dhënë këtë mundësi të jem në TV, të jem falë Zotit i njohur në botën e sportit”, tha fillimisht Usyk.
“Kjo është mundësia ime për të ndarë me njerëzit për atë që po ndodh. Shumë njerëz në botë mendojnë se është thjesht një lloj loje që po ndodh këtu, dhe ne thjesht po i shpikim të gjitha”, shtoi boksieri i peshave të rënda.

Tutje, Usyk foli edhe për ushtarët ukrainas. “Ushtarët tanë janë engjëjt tanë mbrojtës”, tha ai duke mos dashur të jepte vendndodhjen e tij të saktë për shkak të sigurisë.
“Luftëtarët tanë nuk kanë mëshirë për veten e tyre, nuk kujdesen për jetën e tyre dhe vazhdojnë të mbrojnë Ukrainën nga armiku. Pothuajse çdo ditë flas me miqtë e mi në vijën e frontit dhe nuk flasim për luftën. Ata kujdesen të dinë për stërvitjen, më kërkojnë t’u dërgoj videot, fotot e mia të stërvitjes, kërkojnë të tregojnë një histori qesharake. Këta janë djemtë, çdo ditë e të cilëve është mes jetës dhe vdekjes dhe megjithatë nuk ankohen për jetën e tyre. Ata thjesht bëjnë gjënë e duhur tjetër para tyre – të mbrojnë tokën e tyre, familjen dhe vendin e tyre”, deklaroi 36-vjeçari.
Usyk ka dhuruar 205 mijë dollarë për rindërtimin e bllokut të apartamenteve, teksa mbi 250 mijë dollarë janë mbledhur në total deri tash. Sipas boksierit, puna e rindërtimit po vazhdon.
Në fund, Oleksandr Usyk konfirmoi se ekipi i tij drejtues është në diskutime me atë të Tyson Furyt për një meç, që mund të organizohet në këtë vit. /Gazeta Express/
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...