Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, gjatë një takimi me 61 drejtues të Shërbimit Zjarrfikës në ambientet e Stacionit Zjarrfikës në Kinostudio, theksoi domosdoshmërinë e marrjes së masave të menjëhershme dhe efikase për të përballuar rrezikun e zjarreve gjatë sezonit veror.
Ministri Hoxha deklaroi se “të dhënat e viteve të fundit na dëshmojnë se në shumë raste, zjarret shkaktohen drejtpërdrejt nga veprimtaria e pakujdesshme ose qëllimisht e dëmshme e vetë njerëzve”. Ai kërkoi hetim të çdo rasti dhe ndëshkim penal për çdo person që shkakton zjarr me dashje apo për pakujdesi.
Në takim morën pjesë edhe Prefekti i Tiranës, drejtues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe zyrtarë të tjerë të emergjencave. Ministri theksoi se lufta kundër zjarreve kërkon bashkëpunim të ngushtë mes strukturave të emergjencës, njësive vendore, kryepleqve, shoqërisë civile dhe vetë qytetarëve.