Ministria e Shëndetësisë dje lançoi ueb-faqen e saj të re, përmes së cilës qytetarët mund të caktojnë takime me ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliu, duke filluar nga sot. Siç informoi ministri në konferencën e sotme me gazetarët, takimet do të fillojnë të premten e ardhshme, më 4 korrik.
Takimet me qytetarët, të cilat do të zgjasin 15 minuta, do të zhvillohen çdo të premte, nga ora 10:00 deri në orën 15:00. Për të caktuar takim, të interesuarit, online duhet të lënë emrin dhe mbiemrin e tyre, numrin e telefonit dhe temën e bisedës. Aliu theksoi se nuk ka kufizime për temat e bisedës.
Faqja e re e internetit është e disponueshme në maqedonisht, shqip dhe anglisht, dhe Aliu thekson se është përshtatur edhe për personat me nevoja të veçanta.
Ministri Aliu tha se po punojnë për përmirësimin e kujdesit shëndetësor për të gjithë qytetarët në vend, dhe në drejtim të rritjes së transparencës, ai njoftoi mbajtjen e konferencave javore për shtyp për të informuar publikun rreth ngjarjeve të reja, si dhe takimeve informuese me gazetarët çdo të mërkurë në të cilat do të ndajë informacione rreth aktiviteteve aktuale të Ministrisë.
Aliu u zgjodh ministër më 9 qershor, duke zëvendësuar Arben Taravarin, i cili dha dorëheqjen nga pozicioni i tij ministror.
Aliu është pjesë e Aleancës për Shqiptarët, e cila mbeti në VLEN pasi ish-ministri i Shëndetësisë Arben Taravari dhe udhëheqësi i këtij krahu të ASH-së dha dorëheqjen më 15 maj të këtij viti dhe vendosi të kalojë në opozitë.