Nënkryetari i Kuvendit, Antonio Miloshoski, në fjalimin e tij me rastin e Ilindenit në Meçkin Kamen, theksoi se brezi i vitit 1903 la trashëgimi qëndresën dhe vetëmohimin, brezi i vitit 1944 e shndërroi lirinë në shtet, ndërsa brezi i vitit 1991 e konfirmoi pavarësinë e vendit.
“Detyra jonë është që kjo Maqedoni e lirë sot të ketë kush ta trashëgojë nesër”, deklaroi Miloshoski.
Duke iu referuar sakrificës së Pitu Gulit, Nikola Karevit dhe kryengritësve të Ilindenit, ai theksoi se demografia është beteja e re e brezit të sotëm dhe një çështje që kërkon përgjegjësi afatgjatë kombëtare. Sipas tij, kjo është një detyrim i përbashkët ndaj brezave të ardhshëm dhe shtetit maqedonas.
Miloshoski vuri në dukje se Krusheva, simbol i luftës për liri dhe shtetësi, sot ka disa herë më pak nxënës të klasës së parë krahasuar me dekadat e kaluara, ndërsa me të njëjtën sfidë përballet i gjithë vendi.
“Çfarë vlere do të kenë monumentet nëse nuk do të ketë duar fëmijësh që të vendosin lule para tyre? Sa do të vlejë gjuha maqedonase nëse nuk do të ketë kush ta flasë? A do të kenë kuptim shkollat nëse në to nuk do të dëgjohet zëri i fëmijëve?”, pyeti ai.
Sipas Miloshoskit, beteja moderne për Maqedoninë nuk zhvillohet më me pushkë apo me topin e qershisë, por përmes përgjegjësisë për të krijuar familje dhe për të rritur fëmijë.
“Demografia nuk është vetëm statistikë. Ajo është e qara e foshnjave, lotët e gëzimit të prindërve, shkollat plot dhe familjet që e shohin të ardhmen me shpresë. Demografia është çështje e prioritetit personal, lumturisë familjare dhe mbijetesës kombëtare”, u shpreh ai.
Në vijim, Miloshoski theksoi se Maqedonia duhet të jetë mbi ndarjet politike.
“Partitë vijnë e shkojnë. Qeveritë ndryshojnë. Atdheu mbetet. Mund të kemi mendime të ndryshme politike dhe të debatojmë për rrugën, por nuk guxojmë ta humbim drejtimin. Kjo nuk është dobësi – kjo është demokraci. Megjithatë, ka gjëra që duhet të jenë mbi të gjitha ndarjet tona. Maqedonia është e para ndër to. Uniteti kombëtar nuk është mungesë dallimesh, por prania e një përgjegjësie të përbashkët për shtetin”, deklaroi ai.
Në fund, nënkryetari i Kuvendit tha se të rinjve duhet t’u lihet një vend ku do të mund të krijojnë familje dhe të rrisin fëmijët e tyre.
“Lirinë e trashëguam nga të parët. Të ardhmen ua kemi borxh pasardhësve. Maqedoninë duhet t’ua dorëzojmë si një atdhe të gjallë – me fëmijë, me shkolla plot dhe me të rinj që ndërtojnë jetën e tyre këtu”, përfundoi Miloshoski.
tag_katrorimaqedoni_2