Milani e ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e sulmuesit portugez Gonçalo Ramos, i cili ka nënshkruar një kontratë që do ta mbajë në klub deri më 30 qershor 2031.
Gjiganti i Serie A e bëri të ditur transferimin e reprezentuesit portugez përmes një komunikate zyrtare të martën.
“AC Milan njofton se ka transferuar Gonçalo Matias Ramos nga Paris Saint-Germain. Sulmuesi portugez ka nënshkruar një kontratë me klubin deri më 30 qershor 2031”, thuhet në deklaratën e Milanit.
“Ramos, i lindur në Olhão më 20 qershor 2001, zhvilloi talentin e tij në akademitë e SC Olhanense dhe Benfica, ku u ngjit në ekipet zinxhir përpara se të debutonte si profesionist në vitin 2019. Ai zhvilloi mbi 100 ndeshje dhe shënoi 41 gola për Benfican, duke u shndërruar në një nga talentet më premtues të Portugalisë dhe duke ndihmuar klubin të fitojë titullin e Primeira Liga në sezonin 2022/23”, thuhet tutje.
Sipas raportimeve në Itali, Ramos do t’i kushtojë Milanit deri në 80 milionë euro, përfshirë bonuset, megjithëse kuqezinjtë, si zakonisht, nuk kanë bërë publike shumën e transferimit.
“Në verën e vitit 2023, ai iu bashkua Paris Saint-Germain, ku vazhdoi të luajë në nivelin më të lartë të futbollit evropian”, vazhdon deklarata.
“Gjatë periudhës së tij në Paris, ai fitoi tre tituj të Ligue 1, dy Kupa të Francës, tre Superkupa të Francës (Trophée des Champions), dy Liga të Kampionëve, një Superkupë të UEFA-s dhe një Kupë Interkontinentale të FIFA-s, ndërsa shënoi 45 gola në 131 paraqitje”, thuhet edhe më tutje.
Sulmuesi portugez ka realizuar gjithashtu 10 gola në 26 ndeshje me kombëtaren e Portugalisë.
Milani pritet të vazhdojë të përforcojë skuadrën gjatë kësaj vere, me fokus kryesor në qendrën e mbrojtjes dhe në mesfushë.
Sezoni i ri i Serie A për kuqezinjtë do të nisë më 23 gusht me ndeshjen në transfertë ndaj Torinos./GazetaExpress/