Kryeministri britanik Keir Starmer po shqyrton mundësinë e krijimit të qendrave për kthimin e migrantëve në vendet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht paralajmërimeve serioze nga shërbimi sekret britanik MI6 se ky rajon mund të shfrytëzohet nga spiunët rusë.
Sipas burimeve të mediave britanike, MI6 ka dhënë udhëzime të qarta sigurie se Ballkani Perëndimor nuk është një rajon i sigurt për të vendosur struktura të tilla, për shkak të afërsisë gjeopolitike me Rusinë dhe ndikimit të saj të konsiderueshëm në këtë zonë.
“Rrezik nga infiltrimi rus”
Në raportin e shërbimeve të inteligjencës britanike thuhet se ngritja e infrastrukturës shtetërore të ndjeshme në një rajon që konsiderohet si pjesë e “sferës së ndikimit rus” mund të lejojë infiltrimin dhe aktivitetin e agjentëve që punojnë për Kremlinin. Po ashtu, paralajmërohet se migrantët e deportuar në këto vende mund të bëhen objektiva të manipulimeve nga regjimi i presidentit rus, Vladimir Putin.
Vetë kryeministri Starmer ka konfirmuar së fundmi se qeveria është duke negociuar me disa shtete për të ngritur qendra për kthimin e migrantëve që nuk arrijnë të fitojnë azil në Britani.
Shtetet që po shqyrtohen
Në një listë të ngushtuar me rreth nëntë vende të mundshme, përfshihen Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina. Fillimisht, në listë ishte edhe Shqipëria, por kryeministri Edi Rama e ka përjashtuar këtë mundësi gjatë këtij muaji.
Ky është tentativi i dytë i qeverisë britanike për një plan të tillë. Në vitin 2022, qeveria konservatore kishte shqyrtuar ide të ngjashme duke marrë shembull skemën e deportimeve në Ruandë, por plani u bllokua pas kundërshtimit të MI6. Atëherë, ndër vendet e përmendura ishin edhe Shqipëria dhe Moldavia.
Burime të pavarura të sigurisë në Britani konfirmojnë se edhe përpjekjet e qeverisë së Starmer-it po përballen me të njëjtat shqetësime të mëdha.
Një zyrtar shtetëror britanik, i njohur me raportin e MI6, është shprehur:”Na është bërë e qartë se do të dërgonim njerëz drejtpërdrejt në një zonë të ndikimit rus. Strukturat dhe sistemet që do të vendosnim atje do të mund të përdoreshin nga agjentë të Kremlinit. Praktikisht, do të zhvendosnim një pjesë të interesave dhe infrastrukturës britanike në një zonë ku Rusia ka ndikim të ndjeshëm më të madh se në vende të tjera të botës. Qëndrimi i shërbimeve të sigurisë ka qenë se ky plan nuk është as i arsyeshëm dhe as i qëndrueshëm. Në bazë të fakteve të disponueshme, Rusia është e gatshme të përdorë migracionin si mjet manipulimi.”
Influenca ruse në rajon
MI6 shpreh shqetësim për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se të gjitha janë pjesë e ish-Jugosllavisë komuniste dhe se ndikimi rus është i qartë. Sipas burimeve të mediave britanike, ndikimi i Moskës manifestohet përmes rrjeteve të korrupsionit, mbështetjes për politikanë pro-rusë, presioneve digjitale dhe fizike, si dhe ndërhyrjeve të drejtpërdrejta në vendimmarrje.
Raporti nënvizon gjithashtu se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është një aleat i afërt i Putinit dhe se ka vizituar Moskën disa herë gjatë vitit të kaluar, përfshirë pjesëmarrjen në paradën ushtarake të “Ditës së Fitores” në maj.
Një tjetër faktor shqetësues është lëvizja e lirë e qytetarëve rusë brenda dhe jashtë Serbisë, si dhe raportet për kalimin e armëve ruse përmes territorit serb.
Qeveria britanike synon marrëveshje deri në vjeshtë
Sipas informacioneve nga Downing Street, qeveria britanike synon që deri në vjeshtën e vitit 2025 – kur Britania do të jetë mikpritëse e një samiti të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Londër – të shpallë vendet që do të pranojnë të jenë nikoqire të qendrave për kthimin e migrantëve.
Mbetet të shihet nëse paralajmërimet e MI6 do ta ndalojnë këtë plan, ashtu si ndodhi edhe më parë, apo nëse qeveria Starmer do të insistojë në realizimin e tij, pavarësisht rreziqeve të sigurisë.