Pesë gola në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026 janë një tregues i qartë se Lionel Messi vazhdon të jetë lideri absolut i Argjentinës. Megjithatë, ekziston edhe një fakt shqetësues për kampionët në fuqi: asnjë futbollist tjetër i ekipit nuk ka gjetur ende rrugën e rrjetës.
Varësia nga Messi nuk është diçka e re. Madje, legjenda suedeze Zlatan Ibrahimović e përshkroi më së miri situatën kur tha se “Messi nuk është vetëm lojtari më i mirë i Argjentinës, ai është vetë sistemi i saj”.
Nën drejtimin e Lionel Scalonit, gjithçka është ndërtuar rreth numrit 10 dhe deri tani rezultatet kanë qenë të jashtëzakonshme, me dy tituj radhazi të Copa América dhe një Kupë Bote.

Megjithatë, ndërsa Argjentina synon të mbrojë titullin botëror, lind një pyetje e rëndësishme: çfarë ndodh kur Messi nuk është në fushë?
Pushim për Messin
Argjentina e ka siguruar tashmë vendin e parë në Grupin J falë fitoreve ndaj Algjerisë dhe Austrisë, ndaj ndeshja e fundit ndaj Jordanisë nuk ka ndikim në renditje. Pikërisht për këtë arsye, pritet që Scaloni t’i japë pushim Messit.


Edhe pse 39-vjeçari kryeson garën për “Këpucën e Artë”, ai kishte hyrë në turne me shqetësime fizike pas lodhjes muskulore në kofshën e majtë. Aktivizimi i tij për herë të tretë brenda 11 ditëve do të ishte një rrezik i panevojshëm.
Mundësia për Nico Paz
Mungesa e mundshme e Messit mund t’i hapë derën talentit të ri Nico Paz. Mesfushori, që sezonin e kaluar spikati me Como, konsiderohet një nga talentet më premtues të futbollit argjentinas dhe përballja me Jordaninë mund të jetë momenti ideal për të treguar vlerat e tij.
Për Scalonin, objektivi kryesor nuk është vetëm fitorja, por të shohë nëse skuadra mund të prodhojë gola edhe pa kapitenin e saj.


Radha e Lautaros dhe Alvarezit
Vëmendja do të jetë te Lautaro Martínez dhe Julián Álvarez, dy sulmuesit që ende nuk kanë lënë gjurmë në këtë Botëror.
Lautaro ishte pjesë e rëndësishme e suksesit të Argjentinës në Katar 2022, por nuk shënoi asnjë gol në atë turne dhe as tani, pas tetë paraqitjeve në dy Botërorë, nuk ka arritur të zhbllokojë llogarinë e tij. Vetë sulmuesi i Interit ka pranuar se dëmtimet ia pamundësuan të tregonte potencialin e plotë në Katar.


Edhe Julián Álvarez nuk ka bindur deri tani. Sulmuesi i Atlético Madridit ende po rikuperohet nga një dëmtim në kyçin e këmbës dhe nuk arriti të shfrytëzonte rastet që pati në ndeshjet e para.
Argjentina ka nevojë për më shumë
Në fund, mesazhi është i qartë: Messi vazhdon të jetë futbollisti që bën diferencën dhe burimi kryesor i frymëzimit për Argjentinën, por në fazën me eliminim direkt kjo mund të mos mjaftojë.
Nëse Lautaro Martínez dhe Julián Álvarez nuk fillojnë të kontribuojnë me gola, kampionët në fuqi rrezikojnë të mbështeten sërish vetëm te gjeniu 39-vjeçar. Messi po bën gjithçka që mundet, por për ta mbrojtur titullin botëror, Argjentina ka nevojë që edhe yjet e tjerë të marrin përgjegjësi. /GazetaExpress/
Në filozofinë e Feng Shui-t, shtëpia nuk është thjesht një vend ku jetojmë. Ajo konsiderohet një hapësirë ku energjia...