Lionel Messi e ka pranuar se është i emocionuar për gjysmëfinalen e Kupës së Botës ndaj Anglisë, një sfidë që do të jetë historike për të, pasi do të jetë hera e parë në karrierën e tij që do të përballet me “Tre Luanët” me fanellën e Argjentinës.
Kapiteni i kampionëve të botës e cilësoi këtë duel si një ndeshje të veçantë, jo vetëm për rëndësinë që e ka në rrugën drejt finales, por edhe për historinë e madhe që e shoqëron rivalitetin mes dy kombëtareve, shkruan “Gazeta Express”.
“Jam shumë i emocionuar. Është hera e parë që do të luaj kundër Anglisë dhe e vërteta është se mezi e pres këtë ndeshje. E dimë se çfarë përfaqëson ky duel për historinë e futbollit dhe për të dy vendet”, u shpreh Messi pas fitores me Zvicrën.
Sulmuesi argjentinas theksoi se Anglia është një kundërshtar shumë i fortë, me futbollistë të nivelit të lartë, por shtoi se Argjentina ka besim të plotë te forcat e saj.
“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, si të gjitha në këtë fazë të Kupës së Botës. Anglia e ka një ekip të madh, por edhe ne kemi treguar se jemi një skuadër konkurruese dhe do të bëjmë gjithçka për të arritur në finale”, deklaroi ai.
Argjentina e siguroi një vend në katërshen më të mirë pasi e mposhti Zvicrën me rezultatin 3-1, ndërsa Anglia e eliminoi Norvegjinë me fitore 2-1.
Dy kombëtaret do të përballen në gjysmëfinalen që premton të jetë një nga ndeshjet më spektakolare të këtij Botërori. /Gazeta Express